Task-Forca e ngritur nga Ministria e Brendshme tashmë ka filluar punën për arrestimin e grupeve kriminale dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. E paralajmëruar nga ministri Fatmir Xhafaj, Task-Forca ka nisur të krijojë një Data Base për grupet kriminale.

Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se kjo Data Base përfshin aktivitetin e grupeve kriminale, pasuritë e tyre dhe lidhjet që kanë me persona të tjerë. Informacioni për grupet kriminale do të mblidhet në terren nga Policia dhe më pas do i përcillet Task-Forcës. Gjithashtu do të identifikohen të gjitha pasuritë që këto grupe dyshohet se i kanë në emrat e të afërmve të tyre apo miqve.

Pas krijimit të Data Base do të ketë të dhëna të mjaftueshme për grupet kriminale, që operacioni “Forca e Ligjit” të veprojë më pas duke i arrestuar dhe duke sekuestruar pasuritë e krijuara nga trafiku i drogës, apo vepra të tjera kriminale. Burimet sqarojnë se Policia dhe strukturat e tjera kanë informacionet për aktivitetin kriminal në çdo qytet, por duke krijuar këtë Data Base do të bëhet e mundur të kuptohen edhe lidhjet e këtyre grupeve me persona të tjerë, apo me grupe kriminale jashtë vendit.

Operacioni “Forca e Ligjit” ka arrestuar tashmë një grup kriminal në Fier, ndërkohë që brenda disa ditëve priten të tjera arrestime në Vlorë, por edhe në qytete të tjera. Edhe në takimin me drejtuesit e Policisë në Elbasan pasditen e së premtes, Fatmir Xhafaj kërkoi që të vijojë lufta kundër grupeve kriminale. Kujtojmë që vetëm disa javë më parë shumë biznesmenë elbasanas do të hetohen për pasurinë e tyre. Pikërisht për të inkurajuar uniformat blu, Xhafaj ka nisur takime në drejtoritë vendore, kur përveçse paralajmëroi largimin e policëve të lidhur me krimin, ka vënë theksin tek asetet e grupeve kriminale dhe goditjen e tyre.