Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar zyrtarisht se duke filluar nga periudha maj 2017, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 24,000 lekë. (VKM nr.399, datë 03.05.2017)

Për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga bruto mujore, do të jetë:

1. Jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 24,000 (njëzet e katër mijë) lekë dhe deri në 105,850 (njëqind e pesëmijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë, për personat e punësuar;

2. Jo më pak se paga minimale, e barabartë me 24,000 (njëzet e katër mijë) lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në 105,850 (njëqind e pesëmijë e tetëqind e pesëdhjetë) lekë, për personat e vetëpunësuar;

3. E barabartë me pagën minimale mujore prej 24,000 (njëzet e katër mijë) lekë, për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht.

Gjithashtu, paga minimale në shkallë vendi prej 24,000 lekësh, shërben edhe për llogaritjen dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor.