Pas paralajmërimit të prodhuesve të brumërave për rritje të çmimit të bukës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inspektoi 172 furra buke në kryeqytet.
Sipas DPT-së, nga kontrollet e ushtruara u gjetën dhe u penalizuan 10 subjekte për punonjës të padeklaruar, 16 subjekte janë penalizuar për moslëshim të faturës, 3 subjekte janë penalizuar për mosafishim të listës së çmimeve, 1 subjekt është penalizuar për mosrinovim të certifikatës elektronike të fiskalizimit dhe 1 subjekt është penalizuar për mosdisponim të faturës së mallit.
Administrata Tatimore bën të ditur se do të vijojë të ndërgjegjësojë bizneset përmes aktiviteteve inspektuese dhe ndërgjegjësuese duke synuar vetëpërmbushjen e tyre dhe krijimin e një klime të drejtë dhe të barabartë për të gjithë subjektet tregtare.
Në fillim të këtij muaji edhe Autoriteti i Konkurrencës vuri nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës.