Të gjithë individët të cilët sigurojnë të ardhura personale mbi 2 mln lekë në vit do të duhet të bëjnë deklarimin pranë tatimeve deri në datën 2 maj, në të kundër do të gjobiten me 5,000 lekë.
DPT rikujton se deklarata duhet plotësuar dhe dorëzuar elektronikisht nga individët që përfitojnë të ardhura vjetore, me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë. Për më shumë informacion vizitoni faqen tonë zyrtare www.tatime.gov.al, rubrika Individët.
Sipas ligjit, çdo individ që përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në mbështetje të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar që t’i deklarojë këto të ardhura, pranë administratës tatimore, sipas përcaktimeve, të mëposhtme:
Individët rezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.
Gjithashtu, individët jorezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) detyrohen të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave.
Individët janë të detyruar të deklarojnë:
-Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
-Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
-Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
-Të ardhurat bruto nga interesa bankarë.
-Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme;
-Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit;
-Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
-Fitimi kapital nga dhurimi.
-Të ardhura bruto të realizuara jashtë, territorit të Republikës së Shqipërisë;
-Të ardhura bruto të tjera, të cilat nuk janë listuar më lart.