Nga prilli 2021 tatimpaguesit kërkesën për rimbursimin e TVSH do të mund ta paraqesin vetëm online.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një takim me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se pritet të ketë ndryshime në rregulloren e rimbursimit të TVSH-së.

Problematika në procesin e rimbursimit u paraqit nga përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Alketa Uruçi. “Në pandemi tatimpaguesit kanë pasur komunikim online administratën tatimore, por kur ka ardhur puna për kompensimin e TVSH-së, nga administrata tatimore shkresat nuk janë pranuar online është kërkuar që ato të dorëzohen fizikisht. Mendojmë se për këtë çështje duhet më shumë fleksibilitet.

Kreu i Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj pohoi se stoku i TVSH është duke u reduktuar dhe procesi shumë shpjet do të automatizohet. Fillimisht do të shkurtohet 10 ditë afati i procesit.

“Në muajin prill pritet që kërkesa për rimbursimin e TVSH-së të bëhet vetëm online. Ndryshime do të ketë edhe në rregulloren për lehtësimin e procedurave. Automatizimi i rimbursimit do të bëjë që procesi të jetë më shpesh i kontrollueshëm prej nesh, për sa i përket respektimit të afateve prej 30 dhe 60 ditësh. Do të shkurtohet 10 ditë koha e procesit nga depozitimi i kërkesës deri te disbursimi i TVSH-së.

Të vetmit që do të kenë ende vonesa do të jetë për tatimpaguesit e mëdhenj që kanë nënshkruar marrëveshjen e rimbursimit me këste për shumat mbi 150 mln lekë. Brenda 2021 do të shlyhet detyrime për këta tatimpagues të mëdhenj.

Nga gjysma e dytë e vitit do të fillojmë të punojmë me problemet që u ngritën nga ju. Automatizimi i procesit, gjithashtu do të sjellë që të bëhet saktësimi i menjëhershëm nëse TVSH-ja e rimbursuar do të paguhet apo do të llogaritet si detyrime. Mashtrimi dhe evazioni fiskal ka bërë që çdo hap që bëjmë të jetë i mirë menduar dhe të vërehen efektet, por synojmë që shumë shpjet kjo procedurë të jetë automatike”.

Nga Dhoma Amerikane e Tregtisë u kërkua edhe ndryshimi i udhëzimit për marrëveshjet tatimore, për shmangien e tatimit të dyfishtë. “Vendet e tjera mjaftohen vetëm me marrjen e certifikatës të rezidentit. Te ne duhet të behet marrëveshje me administratën tatimore”, pohoi znj. Uruçi. Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj tha se këtë vit do të lehtësohet procedura e lëshimit të certifikatës për taksimin e dyfishtë.

Shqetësim tjetër i ngritur nga biznesi ishte edhe vonesat e kontrollit nga administrata tatimore për tatimpaguesit që çregjistrohen në QKB.

Në korrik nis faza e dytë e procesit të fiskalizimit për bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë mes tyre. Ne takimin e zhvilluar anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkuan që tatimet të intensifikojnë trajnimet për tatimpaguesit për procesin e lëshimit të faturave elektronike.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit të taksave, i cili duhet të garantojë qendrueshmëri, besueshmëri dhe është tërheqës për investimet e huaja.

Në fjalën e tij, në Forumin e organizuar nga Dhoma Amerikane me Drejtorinë e Tatimeve, Jaço tha se Shqipëria ndodhet në një moment të veçantë përsa i përket investimeve amerikane në Shqipëri duke iu referuar dy projekteve të mëdha amerikane të sapo nënshkruara, Hec-i i Skavicës dhe Tec-i i Vlorës.

Presidenti i Dhomës Amerikane tha se për rritjen e investimeve jo vetëm amerikane por edhe të huaja është me rëndësi adresimi i klimës së biznesit dhe një nga pilarët, themelet e klimës së biznesit është sistemi tatimor.

“Investitorët e gjejnë të vështirë të planifikojnë në plan afatgjatë nëse kemi një ndryshim, frekuent, e bën këtë sistem jo atraktiv. Ne mendojmë që ka nevojë për Reformimin dhe Modernizimin e Sistemit të Taksave”, tha Jaço.