Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka paralajmëruar dje nëpërmjet një njoftimi, një fushatë kontrolli ndaj të gjitha bizneseve në vend në kuadër të luftës kundër evazionit. Tatimet kanë konstatuar se një pjesë e mirë e tatimpaguesve në vend nuk lëshojnë kupona tatimorë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre dhe se nuk hedhin në sistemin on line xhiron e vërtetë ditore të tyre. Për këtë arsye, Tatimet pritet të nisin një fushatë kontrolli intensive në të gjithë vendin dhe të gjitha bizneset në të cilat konstatohen parregullsi mund të përballen edhe me penalitete përkatëse.
Sipas DPT-së, edhe pse është detyrim ligjor që tatimpaguesit të mbajnë dokumentacionin tatimor, konkretisht atë që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale, ka ende biznese që nuk presin çdo ditë kupona tatimorë kundrejt produktit që shesin. Nga verifikimi i të dhënave të transmetuara gjatë vitit 2017, rezulton se ka pajisje fiskale nga të cilat nuk është kryer çdo ditë transmetimi, duke mos përmbushur dhe respektuar pikën 9.1 të VKM Nr. 781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike”, i ndryshuar. Gjithashtu, nga verifikimi konstatohet se edhe kur transmetimet janë kryer në disa raste, vlerat e transmetuara nga pajisjet dhe numri i kuponave ditore të prerë është në një vlerë të ulët.
“Bazuar në të drejtën e saj për të kontrolluar, administrata tatimore paralajmëron se është duke planifikuar kryerjen e vizitave fiskale në vendet e ushtrimit të veprimtarisë, për evidentimin e fakteve dhe faktorëve që mund të kenë sjellë për pasojë uljen ose reduktimin e xhiros së kryer, si dhe faktin se përse nuk janë kryer transmetimet ditore sikurse parashikon legjislacioni”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kuponi tatimor i lëshuar nga pajisja fiskale, është dokumenti tatimor i kërkuar ligjërisht për çdo tatimpagues, që shet mallra apo ofron shërbime me para në dorë. Në mbështetje të këtij detyrimi ligjor, pranë administratës tatimore është ngritur një sistem monitorimi on-line, i cili ndjek dhe regjistron çdo ditë, të dhënat e transmetuara nga pajisjet fiskale të çdo tatimpaguesi.
Numri i kuponëve të deklaruar, më i vogël se reali
DPT thekson se në të shumtën e rasteve numri i kuponave të deklaruar dhe vlera e tyre nuk është reale në momentin që deklarohet on line. Nëse gjatë fushatës së kontrollit evidentohen raste të tilla, atëherë subjekti pritet që të përballet me penalitete. “Nga verifikimi konstatohet gjithashtu se edhe kur transmetimet janë kryer në disa raste, vlerat e transmetuara nga pajisjet dhe numri i kuponave ditorë të prerë është në një vlerë të ulët.
Në këto kushte në zbatim të dispozitave të legjislacionit tatimor, konkretisht nenit 54 dhe 55 të Ligjit Nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat mbi detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, ju sjellim në vëmendje se për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar për këtë qëllim duke përmbushur kështu: detyrimin tuaj ligjor për lëshimin e kuponit, të drejtën e klientit ose blerësit për të pasur dokumentin për pagesën e kryer ose furnizimin e marrë.
Referuar të drejtës së saj për të kontrolluar, administrata tatimore është duke planifikuar kryerjen e vizitave fiskale në vendet e ushtrimit të veprimtarisë, për evidentimin e fakteve dhe faktorëve që mund të kenë sjellë për pasojë uljen ose reduktimin e xhiros së kryer, si dhe faktin se përse nuk janë kryer transmetimet ditore sikurse parashikon legjislacioni”, thuhet në udhëzimin e DPT-së.
/SOT/