Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit që kanë pajisje fiskale të Shoqërisë CKV-Noki Albania shpk të lëshojnë kupona tatimorë për shitjet e realizuara pa kryer mbyllje të raportit tatimor ditor Z në fund të ditës për arsye të mosbllokimit të tyre.
Dje, Financat njoftuan se bazuar në Urdhrin e Ministrisë së Financave me Nr.29 datë 29.03.2017 Për heqjen e Autorizimit “Shoqëri e Autorizuar” Shoqërisë “CKV-Noki Albania” shpk , është vendosur heqja e autorizimit “shoqëri e autorizuar” shoqërisë “CKV-NOKI Albania” sh.p.k.
Në bazë të këtij urdhri “CKV-NOKI Albania” sh.p.k. nuk është më e autorizuar të tregtojë dhe mirëmbajë pajisjet fiskale për tatimpaguesit.
Mbështetur ne VKM Nr.781, datë 14.11.2007, “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale”, pika 11:Tatimpaguesi, i cili ka kontratë mirëmbajtjeje të pajisjes fiskale me një shoqëri të autorizuar për mirëmbajtje, së cilës i është hequr autorizimi, është i detyruar të lidhë kontratë me persona të tjerë, të autorizuar për mirëmbajtje.
Sa më sipër, të gjithë tatimpaguesit të cilët kanë në përdorim pajisje fiskale të tregtuara nga shoqëria “CKV-NOKI Albania” sh.p.k., duhet të marrin masat për të lidhur kontratë me persona të tjerë, të autorizuar për mirëmbajtje.
Tatimet njoftojnë se pas heqjes së autorizimit mbeten aktualisht 4 shoqëri të autorizuara për tregtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale.
Ato janë:
IVA Elektronik
BNT Electronics
AED
DAISY & ETM
/Monitor/