Drejtoria Rajonale Tatimore në Durrës ka nisur fazën e dytë të aksionit për kuponin tatimor duke u përqendruar në zonën turistike. Kjo fazë ka të bëjë me ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e bizneseve për lëshimin e kuponit tatimor.

10 grupe në terren po operojnë për kontrollin e gjithë vijës bregdetare nga gjiri i Lalzit deri në plazhin e Spillesë. Kryeinspektori i kontrolleve në terren, Elton Varaku, shprehet se “qëllimi i aksionit nuk është ndëshkimi i bizneseve, por në partneritet me të, ne të arrijmë një qëllim të përbashkët për formalizimin e bizneseve dhe lëshimin në mënyrë të rregullt të kuponit tatimor”.

Grupet dyshe që ushtrojnë kontrolle në zonën turistike kanë parë të gjitha tavolinat nëse kanë pasur kupon tatimor dhe më pas kanë mbajtur një akt-konstatimi si procedurë e punës së përditshme. Aksioni në fjalë pritet të vazhdojë deri në datën 15 shtator, periudhë kur mendohet se sezoni turistik ka përfunduar dhe bizneset që operojnë në zonën turistike nuk kanë më atë fluks pune që kanë në këtë periudhë të vitit.

K.H.