Një studim i ri suedez ka ringjallur debatet mbi sigurinë e tatuazheve, pasi ka zbuluar se njerëzit me të paktën një tatuazh kanë rreth 29% rrezik më të lartë për të zhvilluar melanomë, formën më agresive të kancerit të lëkurë, sipas “The Independent” .

Të dhënat vijnë nga analiza e më shumë se 11 mijë individëve, duke e bërë këtë një nga studimet më të mëdha të kryera deri më sot mbi lidhjen mes bojës së tatuazheve dhe shëndetit.

Hulumtimi u mbështet në regjistrat kombëtarë të kancerit në Suedi, një vend ku ruajtja dhe analizimi i të dhënave shëndetësore bëhet me një saktësi të lartë. Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve të detajuara rreth tatuazheve të tyre, si madhësia, vendndodhja dhe koha kur i kishin bërë. Kjo i lejoi studiuesve të krijonin një pamje më të plotë të faktorëve të mundshëm të rrezikut.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë se tatuazhet shkaktojnë kancer. Ato tregojnë vetëm një lidhje statistikore, jo marrëdhënie direkte shkak–pasojë. Ndërsa melanoma lidhet zakonisht me ekspozimin ndaj rrezatimit ultraviolet, studiuesit shprehen se duhet ende hulumtim për të kuptuar rolin që mund të luajnë pigmentet e tatuazhit në këtë proces.

Një nga çështjet që ngre ky studim është prania e përbërësve kimikë në bojërat e tatuazheve. Pigmentet shpesh përmbajnë metale të rënda, ngjyrues industrialë dhe komponime organike që nuk janë krijuar për injektim në lëkurë. Disa prej tyre mund të migrojnë drejt nyjeve limfatike, duke qëndruar në trup për periudha të gjata pa u shpërbërë.

Sipas dermatologëve, një tjetër problem praktik është vështirësia në zbulimin e hershëm të kancerit të lëkurës tek personat me shumë tatuazhe. Ngjyrat e forta ose vizatimet e dendura mund të fshehin ndryshime të vogla në lëkurë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e njollave, nishaneve ose shenjave të reja.