16 qershor 2015 – Paulo Sousa merr me vete Taulant Xhakën te Fiorentina. Është ky lajmi i bujshëm që përcjell portali i njohur italian ‘Tuttomercatoweb’, i cili në fakt i referohet mediave që qëndrojnë pranë klubit vjollcë.

Shumë shpejt 44-vjeçari portugez do të zyrtarizohet si trajneri i ri i Fiorentinës dhe mesa duket Paulo Sousa ka nisur që tani nga puna dhe së bashku me drejtuesit e klubit nga Firence ka piketuar disa lojtarë për të përforcuar skuadrën.

Çdo trajner ka futbollistët e tij të preferuar dhe për ish-lojtarin e Interit dhe Juventusit është Taulant Xhaka i pari në listën e dëshirave. Sipas portalit ‘Firenzeviola.it’, 24-vjeçari shqiptar do të ishte përforcimi ideal për Fiorentinën në krahun e djathtë të mbrojtjes, pa harruar këtu që Taulant Xhaka është një lojtar polivalent pasi mund të përshtatet në disa role të ndryshme dhe këtë aftësi të tijën e ka treguar ndër vite fillimisht te Baseli dhe më pas te Kombëtarja Kuqezi.

Përveç si mbrojtës i djathtë, ai mund të luajë edhe si mesfushor shkatërrues, mesfushor krahu dhe mbrojtës qendre. Taulant Xhaka është rritur shumë si futbollist gjatë sezonit të fundit te Baseli nën drejtimin e Paulo Sousës dhe trajneri portugez dëshiron me çdo kusht ta transferojë atë te Fiorentina. Gjithsesi klubi vjollcë për të bindur Baselin të lejojë largimin e 24-vjeçarit nuk do ta ketë aspak të thjeshtë. Faqja e specializuar e transferimeve të futbollistëve ‘Transfermarkt.de’ e vlerëson kartonin e Xhakës 2,5 milionë euro, por Baseli që ka një kontratë me futbollistin deri në vitin 2018 kërkon pothuasje dyfishin e kësaj shume për të ndezur dritën jeshile për largimin e 24-vjeçarit të Kombëtares Kuqezi.

Në këtë sezon, me Baselin, Taulant Xhaka zhvilloi në total 40 ndeshje duke shënuar dhe 1 gol, ndërkohë që me Shqipërinë numëron 4 paraqitje që nga viti 2014.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/