TIRANË – Mbyllet me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, reanimacioni polivalent i kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. “Ky reanimacion do të mbyllet brenda 3 muajve, pasi nuk plotëson standardet e një reanimacioni bashkëkohor”,- bëri të ditur sot në një konferencë për mediat, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. 

"Ministri i Shëndetësisë ka urdhëruar rritjen e kapacitetit shfrytëzues të reanimacionit të ri në Spitalin e ri Universitar, vënien në efiçencë maksimale të reanimacionit të infektivit dhe të atij të neurologjisë gjithashtu, duke mundësuar që në një periudhë brenda tre muajve reanimacioni i kirurgjisë ekzistues të mbyllet, sepse nuk plotëson standardet e një reanimacioni bashkëkohor",- tha Pipero. 

Ndërkohë, është dhënë porosi e veçantë që shërbimet e tjera në QSUT të tregojnë përgjegjësinë maksimale për të hospitalizuar të sëmurët që dalin nga gjendja apo marrin shërbimin e nevojshëm në reanimacion. 

Më tej, ai shtoi se në këtë reanimacion nuk do të shtrohen të sëmurë të rinj. 

"Aktualisht, janë 15 shtretër në reanimacionin e ri, 4 në infektiv, rreth 14 në neurologji (neurologjia vetë është në rikonstruksion) dhe ne duam që në asnjë mënyrë të mos cënohet ofrimi i kujdesit shëndetësor në terapinë intensive, por ndërkohë nuk duam të preket standardi i shërbimit, ndaj lamë një periudhë 3-mujore për t’u mbyllur", tha më tej Pipero. 

Lidhur me mungesën e barnave në këtë shërbim, ai sqaroi se kjo nuk qëndron, pasi sipas tij, farmacia qendrore është e furnizuar. "Deklarimi i bërë dje që në reanimacionin e QSUT-së nuk ka asnjë medikament, nuk ka antibiotikë, ju konfirmoj se nuk qëndron dhe nuk qëndronte. Në prani të ministrit të Shëndetësisë, u bë ballafaqim me drejtorin, farmacinë, farmacinë qendrore, atë të kirurgjisë dhe rezultoi që farmacia qendrore e spitalit universitar është e furnizuar",- tha Pipero, duke shtuar se nuk ka asnjë mungesë në alternativa, jo në emra të përveçëm, alternativa që mbulojnë mjekimin e përditshëm të këtyre të sëmurëve. 

Ndërsa, po sipas tij, nëse ka ndonjë mangësi, u dha porosi të merren të gjitha masat për të mos pasur mangësi bazë në trajtimin e të sëmurëve.