Telashet për këngëtaren e njohur Taylor Swift nuk kanë të mbaruar. Këngëtarja me famë botërore është paditur sërish nga autorja Teresa La Dart, për vlerën 1 milion Dollarë,  duke pretenduar se 32-vjecarja ka kopjuar librin me poezi “Lover” të La Dart , të vitit 2010, për kopertinën e albumit të saj “Lover”, të vitit 2019.

Në një ankesë të paraqitur në një gjykatë federale të Tenesit, më 23 Gusht, La Dart pretendon se përveç titullit këngëtarja ka kopjuar edhe elementë të tjerë nga libri si  poezi, anekdota dhe foto. Sakaq, sipas saj dy kopertinat përdorin ngjyra të njëjta dhe kanë imazhe të fotografuar në pozicione të ngjashme.

Kujtojmë se kjo nuk është e vetmja padi që po përballet këngëtarja. Ylli i pop-it është aktualisht e përfshirë në një tjetër padi për të drejtat e autorit,  për këngën e saj hit “Shake It Off”. Ajo është akuzuar për plagjiaturë nga kompozitorët Nethën Batler dhe Shën Holl, të këngës “Players Gonna Play” të vitit 2001, e cila u interpretua nga grupi i vajzave “Three Little Woman”.