TIRANE, 16 prill 2013– “Besojmë se Juli është gjallë…" Shpresa vdes e fundit dhe është pikërisht kjo shpresë, ajo që po mban akoma në jetë nënën dhe familjarët e Julian Çelës, 11-vjeçarit të zhdukur disa kohë më parë. Edhe pse ka kaluar afro një muaj që nga dita kur familjarët e tij morën vesh se vogëlushi i tyre ishte vrarë nga pedofili Ardian Prrenjasi, ata vijojnë kërkimet për trupin e tij, ndonëse në vetvete besojnë diçka tjetër. Të afërmit dhe familjarët e Julian Çelës besojnë se Juli është gjallë, por kjo nuk i ka ndalur që të vazhdojnë kërkimet në landfillin e Sharrës për të gjetur trupin e tij. "Kërkimet po i vijojmë privatisht për të gjetur trupin e Julit, nëse është e vërtetë se atë e kanë hedhur në landfillin e Sharrës. Ne besojmë se ai është gjallë, shpresa vdes e fundit", pohon një kushërirë e 11-vjeçarit të zhdukur që në 30 nëntor. Prej afro një muaji, forcat e policisë në bashkëpunim me ato të ushtrisë vazhdojnë kërkimet në landfillin e Sharrës, aty ku "monstra i Laprakës", Ardian Prrenjasi, pohoi se ka hedhur trupin e 11-vjeçarit, pasi e ka vrarë atë. Por nga ana tjetër, duke parë se kërkimet e policisë nuk kanë sjellë asnjë të re për fatin e Julianit, familjarët e tij kanë nisur edhe kërkimet private, por ende pa asnjë rezultat. Çdo ditë familjarët e vogëlushit presin me ankth që dera e shtëpisë së tyre të hapet dhe që andej të hyjë dikush për t'u dhënë lajmin e mirë për birin e tyre, të cilin e kërkojnë që prej afro 5 muajsh.
Hetimet
Pista e hetimeve për trafikimin e Julian Çelës, duket se është zbehur paksa, pasi hetimet duket se janë përqendruar tek pista e vdekjes së 11-vjeçarit. Burime nga policia bëjnë me dije se afro një javë më parë është rimarrë sërish në pyetje Ardian Prrenjasi, i cili për të disatën herë ka pohuar versionin se e ka vrarë Julian Çelën. Burime nga forcat blu bëjnë me dije se Prrenjasi para strukturave të hetimit ka rindërtuar edhe një herë skemën se si e ka vrarë 11-vjeçarin dhe se si më pas e ka hedhur në landfillin e Sharrës, të njëjtën skemë që ka dhënë edhe gjatë seancave të tjera që është marrë në pyetje. Po sipas këtyre burimeve, kjo dëshmi ka bërë që policia të vijojë hetimet në pistën se Julian Çela vërtet mund të jetë vrarë nga "monstra e Laprakës". Por policia bën me dije se veç kësaj piste, po hetohen edhe mundësitë e tjera, më e mundshmja është e ajo e trafikimit të tij, pasi të gjitha pistat janë të hapura, për aq kohë sa nuk është gjetur trupi i vogëlushit, edhe pse kërkimet nga policia vijojnë.
Reagime
Në lagjen ku para pak kohësh jetonte Ardian Prrenjasi, duket se tashmë çdo gjë është stabilizuar dhe banorët e saj kanë nisur jetën normale. Por ka edhe disa prej tyre, të cilët vijojnë të kenë frikë për fëmijët e tyre, siç është nënë Naze Demçe, e cila pohon se "kam frikë për nipërit e mi, se mos ndoshta ka të tjerë që kanë qenë të lidhur me atë Prrenjasin. Për këtë arsye, ne i shoqërojmë nga pas fëmijët kur luajnë". Sipas nënë Nazes, të gjithë në lagje janë qetësuar disi pas arrestimit të "monstrës". Ardian Prrenjasi u arrestua nga forcat e policisë në 17 mars, pasi kishte rrëmbyer një fëmijë 10-vjeçar. Pas arrestimit, ai pohoi se kishte gisht edhe në zhdukjen e Julian Çelës, të cilin më pas pohoi se e ka vrarë.





