Vala e re e emigracionit po reflektohet dhe në paratë që emigrantët e rinj po dërgojnë pranë familjeve të tyre, që kanë lënë në Shqipëri.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për vitin 2022 arritën në 834 milionë euro, duke u rritur me 9.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe në nivelin rekord të deritanishëm, atë të vitit 2008-s po prej 834 milionë euro, që është dhe viti më i hershëm kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Sipas tremujorëve, vlera më e lartë e dërgesave u arrin në tremujorin e tretë dhe të katër, përkatësisht me 216 dhe 242 milionë euro, periudha kur tradicionalisht ka më shumë prurje nga emigrantët për shkak të pushimeve të verës dhe më pas festave të fundvitit. Shifra e tremujorit të katërt prej 242 milionë eurosh, është më e larta e regjistruar ndonjëherë në një tremujor, që nga 2008-a, kur raportohen të dhënat.
Dërgesat e emigrantëve po ndjekin një cikël të ri rritjeje, që i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit të dekadës së fundit.
Valët e para të emigracionit masiv shqiptar nisën pas rënies së regjimit komunist dhe numri i madh i shqiptarëve të larguar jashtë vendit u bë burim i rëndësishëm të ardhurash për familjarët e tyre në Shqipëri dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.
Ky cikël duket se arriti pikun në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri, pasi emigrantët e larguar në vitet ’90 ndërtuan një jetë jashtë Shqipërisë dhe i zbehën gradualisht lidhjet me familjet e tyre në Shqipëri. Por, sidomos pas vitit 2013, nisi një cikël i ri emigracioni, që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar, që po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së, sidomos në Gjermani.
Sipas vlerësimeve të Instat, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët pothuajse një milionë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës.
Tendenca për të ikur është përshpejtuar pas ngadalësimit në dy vjet pandemi dhe Mbretëria e Bashkuar po bëhet një destinacion që po tërheq shumë shqiptarë, sidomos të rinj. Gjatë vitit 2022, aplikimet për azil në Mbretërinë e Bashkuar nga shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave zyrtare paraprake nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, arritën në14.2 mijë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Ndërsa në 27 vendet e Bashkimit Europian, në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në 2022-n, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil në BE-27 u rritën me 16%.
Gjermania është një tjetër destinacion, por që kryesisht tërheq personat që shkojnë me kontratë pune.
Burime nga operatorët vendas të transferimit të parave thanë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet, dhe kanë një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri. /MONITOR