GREQI, 17 qershor 2013 – Një punonjës policie është vrarë në Greqi, dhe sipas policisë autorë janë shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas. 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnate rreth orës 2:30 minuta, kur 5 persona të armatosur iu përgjigjën me zjarr Kallashnikovi kërkesës së policëve për kontroll, në vendin e quajtur Distomo. Policia për shkak të vjedhjeve të disa makinave dhe disa incidenteve në zonë, kishte ngritur postblloqe për kapjen e te arratisurve nga burgu i Trikalas. 

Asnjë nga oficerët e policisë të cilët ishin në atë kohë në postbllok, nuk ishte në gjendje t'i kundërpërgjigjej sulmit të armatosur. 

Nga plumbat u plagos në këmbë një polic 37 vjeç, babai i dy fëmijëve, i cili humbi jetën në spital nga humbja e gjakut, sepse plumbi kishte goditur arterien. Pas kësaj 5 të armatosurit iu morrën mjetet dhe armët policëve dhe u larguan me makinën e tyre. 

Në vazhdim është një operacion të gjerë për kapjen e grupit të të arratisurve. 

Disa operacione policore janë zhvilluar muajt e fundit për kapjen e të arratisurve nga burgu i Trikalas, të cilët shfaqen herë pas here në zona të ndryshme të Greqisë, teksa vjedhin makina apo grabisin para në supermarkete e dyqane. 

Polici 37 vjeçar i vrarë natën e kaluar, është viktima e dytë pas 25 vjeçares Katerina Zogali, për vrasjen e së cilës akuzohet shqiptari Marian Kola. E reja humbi jetën nga plumbat më 30 mars, gjatë shkëmbimit të zjarrit të Kolës me policinë, në ndjekje e sipër. 

8 shqiptarët u arratisën nga burgu duke u gdhirë 23 marsi. Ishin 11 shqiptarë që arritën të dalin nga ambientet e burgut pasi plagosen 2 roje, por 3 prej tyre u kapën menjëherë. 3 të tjerë u kapën më vonë gjatë arratisë në zona të ndryshme të Greqisë, ndërsa 5 mbeten ende të lirë. Marian Kola është një nga të arratisurit që nuk është kapur ende.