Ndërkohë që e gjithë Italia u gjunjëzua para tërmetit shkatërrimtar të para disa ditëve dhe familjarëve ende nuk u kanë reshtur lotët për viktimat e pafajshme, ka nga ata që ngrenë zërin, sepse nuk mund të shkojnë në zonat e shkatërruara.

Mediet italiane shkruajnë për këta të apasionuar pas tmerrit. Ata bëjnë gjithë atë rrugë, vijnë nga qytete të afërta me zonat më të goditura nga tërmeti, por edhe nga larg, për të shkrepur foto.

Por këto foto nuk janë të rëndësishme për ta për të dokumentuar ngjarjen, shkatërrimin, dhimbjen, por për të shijuar “spektaklin” e vdekjes.

Ndërsa organizoheshin funeralet masive të viktimave, kishte nga ata që shqetësoheshin se pse nuk është hapur ende ura që të çon në Amatrice, qyteti më i shkatërruar nga tërmeti 6.0 ballë.

Për disa, dhimbja që lë pas një fatkeqësi natyrore shndërrohet në spektaklin horror, ku duhet të jesh i pranishëm për ta ndarë më pas në rrjetet sociale!