Më shumë se 200 të burgosur u arratisën të hënën në mbrëmje nga një burg në Karaçi në Pakistanin jugor. Të burgosurit arritën të arratisen me sukses falë tërmeteve që kanë rënë në vend ndërsa autoritetet i lejuan të dalin nga qelitë e tyre dhe të rrinin në oborrin e burgut.

Ministri vendas i Drejtësisë, Zia-ul-Hasan Lanjar u shpreh se pati panik për shkak të dridhjeve dhe se ishte e vështirë të kontrollohej një turmë prej rreth 1,000 personash. Ai tha se arratisja ndodhi pak para mesnatës së së hënës dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Policia tha se të burgosurit rrëmbyen armë nga oficerët e burgut, gjë që çoi në një shkëmbim zjarri dhe më pas hapën me forcë portën.

Një gazetar i Reuters në vendngjarje raportoi sot se pa xhama të thyer dhe pajisje elektronike të dëmtuara brenda burgut. Një hapësirë ​​ku të burgosurit takoheshin me familjet e tyre u plaçkit. Sipas Lanjarit, kjo ishte një nga arratisjet më të mëdha nga burgjet në Pakistan. Burgu në zonën Malir të Karaçit, qyteti i dytë më i madh i Pakistanit, ndodhet në një lagje të varfër industriale dhe banesore.

Të ndaluarit vraponin nëpër rrugët e lagjes natën, disa prej tyre zbathur, ndërsa ndiqeshin nga policia. Policia arriti të arrestonte disa dhe t’i fuste në furgonë policie. Shefi i policisë lokale, Ghulam Nabi Memon, tha se shumica e të burgosurve ishin të përfshirë në krime të vogla, siç është përdorimi i drogës. Ai tha se të paktën një i burgosur u vra në shkëmbimin e zjarrit, i cili plagosi tre roje burgu.