Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.
Ajo bën me dije se 13 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Ndërkaq, 78 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë gjatë kësaj jave është kushtuar për mosrespektimin e tabelës “Stop” dhe për këtë shkelje janë vendosur 109 masa administrative.