Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, edhe në qytetin e Durrësit është zhvilluar sot pasdite marshimi protestë kundër abuzimeve seksuale ndaj të miturve.

Me pankarta në duar dhe me thirrjen “Mos hesht, reago”, protestuesit janë nisur nga sheshi “Liria” drejt “Rrugës Tregtare” për të përfunduar tek “Torra Veneciane”.

“Mos ma vrit fëmijërinë”, “Unë të besoj, nuk është faji yt”, “Denonco”, “Çohu nga kafja o njeri”, “Jo është jo” janë disa nga shkrimet e pankartave që të rinjtë mbajnë në duar, duke kërkuar dënim maksimal për abuzuesit.

“Ne duhet të turpërojmë përdhunuesin jo viktimën”, shprehet një përfaqësuese e shoqërisë civile ndërsa bën thirrje të mblidhen të gjithë së bashku për të treguar forcën.

“Duhet të ndalojmë këto monstra për t’i demaskuar dhe për të shpëtuar njëherë e mirë nga ky fenomen.”