Policia e shtetit njoftoi sot arrestimin e 2 personave, të kërkuar nga drejtësia italiane për një vrasje të kryer në 1999-ën.

Andon dhe Niko Sina, 51 dhe 48 vjeç, kushërinj me njëri – tjetrin ishin dënuar me nga 14 vjet e 11 muaj burg secili për vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e një tjetri 26 vite më parë në Kazerta të Italisë.

Ata jetonin në fshatin Rreth Kale në Dibër dhe kishin mundur t’i shmangeshin dënimit pasi kishin ndryshuar emrat.

Sipas policisë, ata e kishin kryer vrasjen me sende të forta dhe mjete të mprehta për shkak të konflikteve nga përfshirja në aktivitete kriminale.

Pas vënies në pranga në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane ata do të ekstradohen në vendin fqinj për të vuajtur dënimin.