Drejtuesja e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli deklaroi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se rezultatet kryesore të Censit do të publikohen më 28 qershor ndërsa të dhënat e plota do të publikohet në muajin Tetor.

Pyetjeve të shumta të deputetëve për vonesat e rezultateve ajo iu përgjigj se janë brenda afateve.

Elsa Dhuli, drejtore e INSTAT: Thjesht propozimi erdhi nga INSTAT për datën 19, por na erdhi kërkesë nga asistenca teknike për ta organizuar konferencën në datën 28, për këtë arsye nuk kishim dërguar njoftim zyrtar akoma. Prandaj njoftimi zyrtar që do të kalojë në të gjithë të ftuarit në konferencë është data 28.

Dhuli vuri në dukje se të dhënat e Censit do  të publikohen edhe në faqen Eurostat-it.

Elsa Dhuli, drejtore e INSTAT: Menjëherë pas publikimit në qershor të rezultateve kryesore, puna nuk do të ndërpritet do të vijojë me prodhimin e të gjithë treguesve në nivel bashkie pasi detyrimi i të gjitha shteteve europiane, këtu edhe pse Shqipëria nuk është bërë akoma anëtare e BE, INSTAT-i duhet të transmetojë në Eurostat rezultatet kryesore të Cens-it brenda vitit 2024.

Numërimi i popullsisë dhe banesave nisi më 18 shtator të vitit 2023 dhe zgjati për 6 javë. Censi kryhet çdo 10 vjet dhe synon t’i sigurojë qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit.