TIRANA- Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të ulet përsëri në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e përgjithshme e huamarrjes e planifikuar për tu siguruar nëpërmjet emetimit të instrumenteve financiarë do të jetë 67.2 miliardë lekë, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e borxhit të maturuar.

Vlera e huamarrjes së qeverisë pritet të jetë 10% më e ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Ky është viti i katërt radhazi që huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm ulet për tremujorin e tretë të vitit.

Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, rënia e huamarrjes do të jetë edhe më e ndjeshme, me 33% më pak.

Kalendari i emetimeve tregon se huamarrja e brendshëm do të vazhdojë të dominohet nga instrumentet afatgjata.

Nga 18 emetime gjithsej, vetëm katër prej tyre do të ofrojnë bono thesari 12-mujore, ndërsa nuk parashikohen ankande për instrumente me maturim 3-mujor dhe 6-mujor.

Mes 14 ankandeve të obligacioneve, investitorëve do t’u ofrohen sërish mundësia për të investuar në instrumente afatgjata 10-vjeçare, 15 vjeçare dhe 20 vjeçare.

Pas rezultateve inkurajuese në ankandin e parë për testimin e tregut, në janar, Ministria e Financave duket se do të vazhdojë të organizojë rregullisht ankande të instrumenteve 20 vjeçare.

Në vitet e fundit, Ministria e Financave po ndjek një tendencë të zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit, me qëllim për të përfituar nga normat e ulëta të interesit dhe për të ulur rrezikun e rifinancimit të shpeshtë.

Në fund të marsit 2025 maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm arriti në 1026 ditë, nga 923 ditë që kishte qenë në fund të vitit 2024.

Ulja e kërkesës për financim nga qeveria është një nga faktorët që ka ndikuar në uljen e yield-eve të borxhit të brendshëm.

Një tendencë e tillë është ka vazhduar edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.

Yield-et e bonove të thesarit kanë zbritur poshtë nivelit të normës bazë të interesit, ndërsa obligacionet e të gjitha maturiteve kanë prekur nivelet më të ulëta historike.

Përveç një kërkese më të ulët të qeverisë për borxh, rënia e fortë e yield-eve është ndikuar edhe nga shtimi i pjesëmarrjes në ankandet e titujve, veçanërisht për shkak të një pjesëmarrjeje në rritje nga investitorët jorezidentë.

Kjo pjesëmarrje e ka shtuar më shumë likuiditetin në tregun e titujve dhe ka ushtruar një trysni rënëse mbi kthimet./ Monitor