Duke nisur nga ora 02:00 e mëngjesit të së dielës, datë 30 mars, akrepat e orës do të zhvendosen 60 minuta përpara, duke shënuar nisjen e orës verore. Kjo do të thotë se dita do të zgjasë më shumë, por njëkohësisht do të “humbasim” një orë gjumë.

Ndryshimi i orës bëhet me qëllim shfrytëzimin maksimal të dritës së diellit dhe kursimin e energjisë elektrike. Ky sistem u vendos në nivel evropian që prej vitit 1981, duke u aplikuar në shumë vende, ku ora zhvendoset 60 minuta përpara në pranverë dhe 60 minuta pas në vjeshtë.

Si lindi ora verore?
Koncepti i orës verore u propozua për herë të parë nga anglezi William Willett në vitin 1907, i cili argumentonte se njerëzit duhet të përfitonin nga orët e dritës në mëngjes. Megjithatë, ai nuk arriti ta shihte këtë ide të zbatuar, pasi vdiq një vit përpara se Gjermania të adoptontë ndryshimin e orës më 30 prill 1916, duke e çuar akrepat 60 minuta përpara. Më pas, Britania e Madhe ndoqi të njëjtin model.

Ndryshimi i orës ndodh gjithmonë të dielën e fundit të marsit dhe vazhdon deri të dielën e fundit të tetorit, kur ora kthehet sërish një orë pas. Kjo periudhë shënon zgjatjen e ditës, me kulmin e saj më 22 qershor, ku drita e diellit zgjat deri në 15 orë.