Serbia do të mbajë të dielën zgjedhje të parakohshme të përgjithshme dhe lokale për të përcaktuar një qeveri të re për parlamentin me 250 vende, Asamblenë 120 anëtarëshe të Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe këshillat bashkiakë të qyteteve dhe rretheve.

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi mbahen të paktën çdo katër vjet. Qeveria e re e dale nga zgjedhje pritet te përballet me presion nga BE dhe SHBA për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Njohës të zhvillimeve politike nuk presin që në Serbi të ketë ndërrim të pushtetit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit, por kanë mendime të ndryshme për mënyrën se si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

Pushteti aktual, përkatësisht koalicioni rreth Partisë progresive Serbe e presidentit Vucic dhe Partisë Socialiste e Ivica Dacic, e pranon Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, e shkruar në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, ka qenë dhe do të jetë”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një tubim parazgjedhor. Edhe pse Vuçiç është tërhequr nga udhëheqja e Partisë Përparimtare Serbe në pranverë, ai është angazhuar në mënyrë aktive në fushatën e saj, e cila ka sloganin “Serbia nuk duhet të ndalet”.

Të gjitha partitë e së djathtës, ndërkaq, janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, e cila, mes tjerash, parasheh respektimin e integritetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e simboleve shtetërore. Marrëveshjen e Ohrit e pranon lista “Serbia në Perëndim” dhe grupi “Duhet ndryshe” i Çedomir Jovanoviqit. Për 250 vendet e Parlamentit serb, më 17 dhjetor, do të garojnë 18 lista me më shumë se 2.800 kandidatë. Do të jenë këto të katërtat zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare qe kur Partia Përparimtare Serbe mori pushtetin ne vitin 2012. Zgjedhjet e Serbise nuk do te lejohen te mbahen ne territorin e Kosovës. Autoritetet e Serbisë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë, por jo Prishtinës zyrtare, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Partitë opozitare dhe mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut e akuzojnë Vuçiçin dhe Partinë Përparimtare Serbe për ngufatje të lirisë së medias, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar – edhe pse Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat e tilla, sipas Reuters-it.