“Observatori për të Drejtat e Fëmijëve” dhe “Në Familje për Familjen”, me mbështetjen e “UN Women” në Shqipëri kanë nisur Turin Veror në kuadër të fushatës globale “#HeForShe”.

Ditën e diel më datë 28 gusht, turi do të ndalet në qytetin e Durrësit pranë Sheshit Iliria”, ora 18:00- 20:00. Në këtë ditë, të rinjtë do të mund të shpërndajnë informacion mbi lëvizjen solidaritare “HeForShe” duke synuar angazhimin e djemve dhe burrave drejt arritjes së barazisë gjinore.

Në qytetin e Durrësit fushata do t’i drejtohet banorëve dhe turistëve për t’i ndërgjegjësuar mbi rëndësinë që djemtë dhe burrat kanë për arritjen e barazisë gjinore në komunitetin lokal apo shoqërinë shqiptare në tërësi. Me sloganin: “Ndrysho Perspektivat; Bëhu një ‘HeForShe’!”, nëpërmjet bisedave informuese në plazhe e pika turistike, dhe manifestimeve në sheshet kryesore të zonave turistike, Turi i Verës “HeForShe” do të kërkojë zotimin simbolik të djemve e burrave, për të dalë hapur dhe publikisht në mbështetje të barazisë gjinore.

Turi i Verës “#HeForShe”: “Një Lëvizje Solidariteti e Kombeve të Bashkuara, për Barazi Gjinore” ka nisur rrugëtimin e tij që prej ditës së djeshme (25 gusht), nëpër zonat turistike të Shqipërisë. Përgjatë 5 ditëve, skuadra “#HeForShe”, do të vizitojë 10 qytete të Shqipërisë, nga Jugu në Veri, me qëllim sensibilizimin e djemve dhe burrave anembanë vendit, si dhe ndarjen e mesazheve në mbështetje të barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas.