Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) këtë të dielë do të zhvillojë në Strasburg të Francës, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në protestën e paralajmëruar për datën 16 nëntor pritet të marrin pjesë të paktën 6 mijë shqipfolës.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një prononcim për “Tv Klan”, bëri të ditur se përgatitjet e fundit po zhvillohen në koordinim me këshillin organizativ në Evropë dhe me diasporën shqiptare. Shumë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar tashmë udhëtimin.
“Ne presim rreth 6 mijë vetë të jenë aty. Mbi 1 mijë pritet të jenë nga Kosova”, u shpreh Gucati.
Më 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së. Gjyqimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nisi në vitin 2023 dhe po shkon drejt përfundimit.
Protesta të ngjashme janë mbajtur më herët në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa të dielën vijojnë në Strasburg. Një protestë tjetër është paralajmëruar të zhvillohet edhe në Maqedoninë e Veriut.





