Nga Edison Ypi
-Çfarë bën ti kur sheh në televizor një ushtri me makina, autoblinada, policë të armatosur gjer në dhëmbë që shkojnë të shkulin 100 rrënjë hashish në një fshat me 50 shtëpi?
-Më vjen shumë për të qeshur me këtë teatralitet. Mundohem të qesh sa e meriton. Por nuk mundem. Ndeshem me një kufi të qeshure që s’e kapërcej dot. Të duash të qeshësh dhe të mos mundesh, është vuajtje. Megjithatë e kam gjetur një zgjidhje. Jo për ndihmë mjekësore, as për të këmbyer ndonjë llaf, iki për një ngushëllim të heshtur tek i vetmi njeri serioz që ekziston në këtë vend, te Doktori.
-Del nga shtëpia. Te shkallët të përshëndet me ngërdheshje një komshi. Pastaj vete blen diçka te një dyqanxhi hileqar. Pak më vonë ke të bësh me një nëpunës ryshfetçi. Pak më tutje ta zë rrugën një mik llafazan që ka 20 vjet që të bën të njëjtat muhabete që s’i duron dot. Si i zgjidh ti këto nyje makbethiane ? I duron, apo reagon në ndonjë mënyrë ?
-Këto raste janë të rënda. Por mos kujto se jam aq budalla sa komshiut pasi t’ja vë në dukje ngërdheshjen t’ja rras një grusht në surrat, dyqanxhiun pasi ta moralizoj t’ja përplas kokën pas murit, ryshfetçiun ta vras, e aq më pak të iki të ha ndonjë drekë të shijshme në ndonjë restorant për të rehatuar psiqikën duke mbushur stomakun. Bëj diçka më të thjeshtë dhe pa kosto. Jo për analiza, as për receta dhe ilaçe, dhe as për ndonjë diskurs akademik, thjesht për të përjetuar mes xhunglës shtazarake një episod human, iki te shtrofkulla e fundit e kuptueshmërisë që ka mbetur në këtë vend, te Doktori për të marrë ndonjë këshillë të vlefshme.
-Humoristët që qeshin me fjalët e veta, gazetarët që me variacione të papërfillshme të formës dhe përmbajtjes botojnë me vite e vite të njëjtin shkrim, personazhet televizivë që nuk e bëjnë ata të shikueshëm televizionin por i bën të famshëm televizioni ata, më fal që po të pyes o buçko, te Doktori vete ti edhe për t’u rehatuar prej këtyre monstrave ?
-Këto janë raste tepër të rënda pa shpresë shërimi. Kur më dalin para ata këllira e ato zgjyra, për të shmangur çmendurinë, gëlltit një paracetamol. Që, në fakt, vajtje te Doktori është edhe kjo.
-Po kur ke të bësh me meshkuj snoba, femra vanitoze, miq që u ka mbetur ora, kushurinj budallenj dhe kushuriresha copa mishi, pra me kreatura shqiptareske të cilat meqënëse Frojdi nuk mund t’i parashikonte studimet i mbetën të mangëta, te Doktori vete ti për t’u rehatuar nga prezenca e tyre?
-Këta janë aq shumë sa më zënë drithmat. Sapo ndahem prej ndonjërit prej tyre, nisem vrap te Doktori. Për të mos i futur drithmat edhe Doktorit dhe për t’u rehatuar deridiku vetë, mjaftohem me pak. Duke ikur te Doktori ia ngul sytë fustanit të bardhë pakëz të zbërthyer të ndonjë femre që mund ta shoh eventualisht rrugës, qetësohem sa mundem, dhe kthehem në folezën time duke u mjaftuar me bardhësinë e fustanit, që siç dihet është simbol i mjekësisë, pra Doktorit, tek i cili në këtë rast edhe vajta edhe s’vajta, por më tepër vajta.
-Konstatimi se sa më tepër rritet çmimi i karburantit aq më tepër shtohet numri i makinave, është një goxha traumë që ngërthen brenda vetes dramaticitet dhe qesharakizëm njëkohësisht. Edhe për këtë te Doktori e ndal vrapin ti?
-Po. Edhe në këtë rast te Doktori vete. Ulem me Doktorin në një kafene për ta shqyrtuar këtë çudi, Doktori më qartëson se jo vetëm mua por edhe vetë Doktorin ky paradoks e cfilit. Llafe muhabet, pas pak edhe unë edhe Doktori vemë re se ndërkohë që llafosemi kemi ndryshuar rolet; Doktor jam bërë unë, pacient është bërë Doktori. I futim i t’qeshme, tensioni 12-8, t’rrafmet 70, pilota të dy, dhe ndahemi, ai në klinikë, unë në shtëpi.
-Po kur merr vesh se filani dhe filanja po u afrohen të tridhjetave, kanë me qindra dhe me mijëra miq e mikesha në Internet, por filani nuk ka prekur kurrë femër me dorë, dhe filanja nuk është puthur kurrë nga ndonjë mashkull, çfarë bën, ku ikën ti kur mendon për këtë fenomen postmodern, këtë platonizëm katastrofik të të rinjve që sentimentet i kan mbyll me dry dhe drynin e kan hudh në det ? Mos më thuaj që edhe në këto raste ikën te Doktori.
-Për të më bërë derman për zemrën që m’i shpeshton të rrahurat dhe të më qetësojë gjunjët që më dridhen, edhe në këto raste s’kam se ku ta përplas kokën veçse te Doktori.
-Po kur s’ke asnjë brengë, asnjë dhimbje, asnjë vuajtje, domethënë kur s’të lypset asnjë Doktor, çfarë bën, ku shkon?
-I ruhem shumë kësaj rehatie. Është kurthi më i rrezikshëm që po më zuri më groposi. Megjithatë, kur më ndodh, për të vajtur te Doktori, i bie nga Zelanda e Re. Ja fus me raki, dehem sa bëhem dru, rrëzohem pa ndjenja, vijnë më ngrenë, dhe pavarësisht se jo me këmbë por me barrelë, edhe në këtë rast te Doktori vete.
-Po kur dëgjon që Doktorin e shajnë, për Doktorin ankohen, Doktorin e përgojojnë, për Doktorin shpifin?
-Nuk ka turp më të madh në dynja se të përgojosh Doktorin që të vigjëlon shëndetin. Këtë makabritet etiko-ekzistencial që nuk e praktikojnë as kanibalët e Afrikës dhe Polinezisë, shqiptarët e bëjnë. Më vjen për të qarë e për të uluritur me këtë fakt kaq të turpshëm. Dua të vete te Doktori të më bëjë derman. Por nuk mundem. Nuk shkohet te Doktori për Doktorin. Enigmën se si është e mundur që shqiptarët shajnë e mallkojnë Doktorin, ende s’e kam zgjidhur, këtij lëmshi akoma s’ja kam kapur fillin.
-Ti jetoke nga shtëpia te Doktori mor burr i dheut. Nuk ke frikë se duke vajtur kaq shpesh te Doktori mund të bëhesh i varur nga Doktori ?
-Jam bërë me kohë i varur nga Doktori. S’ka problem. Vartësia ndaj Doktorit është e shëndetshme dhe e paevitueshme si vartësia nga buka, uji, ajri, pa të cilat njeriu ngordh.
-Për çdo lloj sikleti shkoke te Doktori zotrote?
-Po. Nuk shtyhet jeta pa Doktor. Veç vajtjes te Doktori, s’ka mënyrë tjetër për t’u ndjerë deri diku mirë më shëndet në vendin që sa më shumë vidhet aq më tepër pasurohet, sa më tepër marrëzira bën, aq më fort e dua.
23 shtator 2015, "Mapo"
/portali DurresLajm/