BUJAR QESJA

Një ditë e bukur. Një pranverë e parakohshme kishte trokitur në Durrës. Dielli kishte nisur bashkëbsedimin me detin e trazuar lehtas, duke i dhënë natyrës një hijeshi të rrallë. Restoranti “Artur” kishte të drejtën, të krenohej me atë organizim që u bë aty. Ladi ynë, që me 18 nëntor të vitit të kaluar u largua nga jeta, në këtë ditë mbushi 70-të vjetorin. Jo vetëm unë, por asnjë nga ato njerëz që u ndodhën tek “Arturi”, kishin arsyjen të mos e besonin: Lad Ajazin se kishim të gjallë dhe që nuk gëzonte me ne.

Një portret në xham, e sillte shumë të freskët pamjen. Vlerësimet ishin pranë tij dhe dukej se edhe ato i thonin:”Gëzuar Ladi, 70 –të vjetorin e lindjes”. Miku im nga më të mirët, moderatori i ceremonisë për titullin “Mjeshtër i Madh” Defrim Methasani, ndodhej në mes të durrsakëve, shok dhe miq të Ladit. Po kështu edhe i miri ynë Leonard Tase, mezi e kishte pritur ardhjen në Durrës. Durrsakët janë njerëz të urtë, të dashur dhe të respektuar. E çmojnë nderin dhe ia ngrejnë vlerat mikut.

Ndërkohë ndodhesha në mes të familjarëve të Ladit, motrës, vëllezërve, bashkshortes dhe kaluam çaste të prekshme të kujtesës. Sado të donim të ndodhej pranë nesh, të gëzonim së bashku. Është ditë e veçantë për të. Është dita e 70-të vjetorit të lindjes. Është dita e marrjes së një titulli të lartë Mjeshtër i Madh”. A nuk ishte mjeshtër i portës Lad Ajazi? A nuk ishte një specialist i zoti i futbollit Lad Ajazi? A nuk ishte mjeshtër i komunikimit dhe i një lloj zotnillëku të lindur? A nuk ishte një shok dhe mik i rrallë? A nuk ishte një bashkshort i merituar, baba i dhëmbshur? A nuk ishte një vëlla ideal? A nuk ishte, nuk ishte…..? Gjithçka i kishte Vadimir Ajazi, prandaj edhe largimi i tij nga jeta na duket i pabesuar.
Takova me Iliaz Çeçon, Sul Demollarin, Tut Leshtenin, Niko Janin, Met Spahiun, Bashkim Tufën, Niko Liton, Ed Zallën e plot të tjerë dhe folëm për Ladin. Folëm me zërin e shpirtit dhe të kujtesës së gjallë, për atë Lad gjigand që kur ecte të dukej se toka tronditej.

Lad Ajazi është në 70-të vjetorin e lindjes. Sot gëzuam të gjithë. Emiriano Sako, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, i akordon Ladit vlerësimin e lartë “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”. Të gjithë i jemi mirënjohës Ladit, për atë angazhim fantastik që ka bërë si në futbollin durrsak, ashtu edhe në atë kombëtar. Kuadër aktiv. U dha edukim fizik nxënësve. U mësoj të rinjve si të luajnë futboll. Nuk përtoj të merret edhe me fëmijët. Kjo ia rriti popullaritetin. Kjo e bëri të dashur dhe të besueshëm tek njerëzit.

“Mjeshtër i Madh”! “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”! Dhe titulli tjetër akoma dhe më i madh: “Respekti i popullit të Durrësit”! Aq i mirë dhe aq pjesë aktive e Durrësit dhe e durrsakëve ka qenë Lad Ajazi.
Sot festuam. Kishim të drejtë ta bënim këtë. Dhe Ladi festoi së bashku me ne. Kurrë nuk kemi për ta ndarë, pasi ishte dhe mbetet pjesë e jona. Kështu tha edhe Lida kur mori titullin nga presidenti.
“Ladi punoi për durrsakët, i donte ato dhe kjo ishte dhe mbeti mrekullia më e madhe e tij. Ai nuk do të harrohet, pasi populli atë që don dhe i është përkushtuar, nuk e harron”.

Dhe Arben Saliu, që e donte Ladin si vëlla foli. Foli atë që do të thonim të gjithë. Foli për Lad Ajazin, çfar njeriu kemi humbur. Por jemi të fituar me kujtesën dhe mosharresën. Qëndruam gjatë në mesdite tek “Arturi”. Nuk na bëhej ta ndaheshim. Ladi na donte të ishim kështu si sot, së bashku.

Edhe dielli, edhe deti gëzoi së bashku me ne. Na ngrohu shpirtin, ashtu si vetë miqësia dhe shoqëria me Lad Ajazin. Dhe në këtë ditë, dielli u largua më vonë. Edhe natyra nuk donte të ulte siparin e një bukurie të rrallë.

Lad Ajazi 70 vjeç. Vitet do të kalojnë dhe përvjetorë të tjerë do të festohen. Gjithnjë për njerëzit e zemrës, siç është Ladi përvjetore të tilla të gëzojnë, të kënaqin, të shijojnë. Dhe sigurisht kështu do të ndodhë më tej.
Ti ike shpejt nga jeta. Por absolutisht jo nga kujtesa. Është një kujtesë që vjen si detyrim për secilin.
Ti gëzosh titujt Lad Ajazi! Memoria e mosharresës për ty, do t’i ngjaj këtij dielli të pastër të 23 shkurtit 2022, që së bashku me detin krijuan binomin e përjetësisë.

Të duam Ajaz, të duam!
Durrës: 23 shkurt 2022