Durrës, 9 korrik 2014  – Këtë të enjte do të mblidhet këshilli bashkiak Durrës. Në pikën 16 të rendit të ditës të kësaj mbledhje do të diskutohet miratimi i Projekt vendimit të këshillit bashkiak për ndërrimin e vendimit nr. 181 dt. 26.10.2009, mbi emërimin e një rruge të qytetit të Durrësit me emrin e të ndjerit “Spiro Puteci”. Shtysa e këtij projektvendimi është një aktivitet i ndërmarrë nga një OJF sa modeste aq edhe patriotike. OJF-ja “Foleja Kombëtare”, me kryetare zonjën Elida Jorgoni, bashkëshorte e personalitetit të letrave shqipe të ndjerit Perikli Jorgoni, ia doli me sukses të tërheqë maksimalisht vëmendjen e opinionit publik shqiptar me tentativë-vendosjen e bustit të Mitropolit Fan Nolit në Kishën e Shën Astit në Durrës.

Kjo OJF ka synime thjesht patriotike, ndryshe nga shumica e OJF-ve, shqiptare, që njëlloj si ushujzat kanë për synim parësor thithjen e fondeve të donatorëve të huaj, madje edhe të fondeve të zeza nga të huajt, që nuk e kanë fare për zemër Shqipërinë. Rasti i Bustit të Fan Nolit në Durrës krijoi jo thjesht zhurmë mediatike, por edhe probleme politike dhe diplomatike. Kështu diplomati grek i akredituar në Tiranë z. Spyros Diamantis e mbuloi me shumë vëmendje dhe kujdes aktivitetin e kësaj shoqate, sidomos peripecitë e udhëtimit të bustit të Fan Nolit nga Durrësi për në Elbasan.

Z. Janullatos, Ekzark i Tërëshenjtërisë së Tij Bartolomeut të Kostandinopojës, u përpoq maksimalisht ta zhurmonte aktivitetin e shoqatës me anë të vartësve të tij me kamillaft në Durrës, por jo vetëm. Shteti shqiptar reagoi diplomatikisht (besoj vetë Kryeministri Rama) duke dërguar në aktivitetin e shoqatës z. Rolant Xhelilaj, Prefekt i Qarkut të Durrësit dhe Krujës. Drejtoria lokale e SHIK-ut vuri infrastrukturën e saj në ndihmë të shoqatës. Në këtë kuadër u përfshi zyrtarisht edhe Bashkia e Durrësit.

Me projektvendimin e saj, Bashkia e Durrësit dhe personalisht Kryebashkiaku Vangjush Dako bënë një akt normal patriotik duke u pozicionuar pro të madhit Fan Noli, njëkohësisht duke plotësuar njërën nga kërkesat e Shoqatës “Foleja Kombëtare”, atë të vendosjes së emrit të Fan Nolit, një rruge në qytetin e Durrësit, ku kleriku, poeti e politikani Noli ka banuar, ka ushtruar veprimtarinë e tij politike dhe fetare si edhe ka bërë një akt të veçantë patriotik duke mbajtur meshë në shqip në ish-kishën e Shën Spiridhonit.

Në opinionin durrsak ka shumë hamendje për shkaqet që e shtynë Dakon të korigjonte një vendim të këshillit bashkiak të marrë gjatë mandatit të parë, po të vetë z. Dako. Ka gjykime, që ky ishte thjesht veprim i një patrioti dhe ortodoksi të mirë. Qarkullon edhe opinioni, që Dako e ndërmori një veprim të tillë me sugjerimin e Kryeministrit Rama, i cili nuk po e gëlltit kollaj poshtërimin, që i bëri Patriarku serb Jirenej dhe Ekzarku Janullatos, gjatë shënjtërimit të Katedrales ortodokse të Tiranës.

Ka edhe mendime, që ky akt i Dakos është thjesht një hakmarrje politike ndaj aleatit, por edhe rivalit LSI. Kujtojmë këtu, që i ndjeri Spiro Puteci është babai i Indrit Putecit, ish shef kabineti i ish-kryebashkiakut Koka, aktualisht ministër i LSI-së në kabinetin Rama. Aktualisht z. Puteci junior është drejtor lokal në Durrës i propozuar nga LSI-ja. Besojmë se një opinion i tillë duhet të jetë larg të vërtetës, sepse nëse kryebashkiaku Dako ka kontradikta me LSI-në dhe bën hakmarrje të tilla të vogla, pse emëroi zëvendës të tij një pinjoll të një familje tipike përfaqësuese të së majtës në përgjithësi dhe LSi-së në veçanti?

Propozimi është gjysma e punës. Problemi qëndron a i ka kryebashkiaku Dako votat e nevojshme në këshillin bashkiak për ta kaluar projekt vendimin, që heq emrin e kasapit të ndjerë Spiro Puteci dhe e zëvendëson atë me emrin e Mitropolitit Noli…

PS-ja pa votat e LSI-së nuk ka shumicën e nevojshme në këshill. Kuptohet vota e këshilltarëve çamë do të jenë apriori në favor të Nolit, për më tepër, që busti i Fan Nolit është vepër e skulptorit të talentuar çam z. Idriz Balani. Gjithsesi edhe votat çame nuk mjaftojnë për ta kaluar projekt vendimin në këshill.

E vetmja mundësi matematikore për kryebashkiakun Dako është t’i bëjë apel patriotizmit të këshilltarëve blu, veçanërisht atyre që janë besimtarë ortodoksë.

Votimi i të enjtes mund të dalë më i ndërlikuar se sa duket në vështrim të parë, sepse Ekzarku Janullatos ka ndikim dhe leva pushteti të padukshme, që mund të sjellin befasi në votim. Probabiliteti i një befasie të tillë mund të rritet, nëse personeli i Ambasadës Greke, që normalisht nuk përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë, kësaj rradhe zgjedh anën e “Kryekasapit” kundër “Kryepeshkopit”.

Të enjten në darkë durrsakët më në fund do të marrin vesh përfundimin e “DUELIT “ për emërimin e një rruge në qytetin e tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/