Nga Ilva Tare
Kur sapo ka filluar viti i tretë i qeverisjes së maxhorancës së majtë, bilanci i premtimeve të përpara 23 Qershorit 2013 duket se ka mbetur peng i propagandës dhe fushatës elektorale. Një pjesë e mirë e premtimeve nuk është realizuar ende dhe koha e mbetur e këtij mandati në dispozicion të kësaj qeverie ka nisur numërimin mbrapsht. Edhe pse Edi Rama ishte treguar i kujdesshëm të mos jepte afate për kohën kur do t’i realizonte premtimet e tij, shenjat janë në disfavor të maxhorancës që po kalon një periudhë të paqëndrueshme dhe thuajse shantazhuese mes aleatëve.
Fryma e aksioneve që maxhoranca i ka quajtur reforma me plot zell, është dëmtuar nga selektiviteti në rastin më të mirë dhe pafuqia për të vepruar si shtet serioz në rastin më të keq. Qëndrimet e dikurshme në opozitë janë latuar aq shumë me gurët e pushtetit sa edhe ata që dikur konsideroheshin si armiq të betuar apo sponsorizues të qeverisë së mëparshme, ndjehen të zhytur në borxh moral për butësinë dhe bashkëpunimin e ofruar nga Edi Rama.
Kryeministri i vendit duket se ka hyrë në një garë me deputetin e tij Blushi, se cili shkruan fjalimet më të bukura dhe cila ishte batuta më e bukur në daljen e fundit publike. Me prani në nivel të ekzagjeruar në ekrane dhe me udhëtime të gjata e të largëta me biznesmenë të afërt, kreu i qeverisë ka hyrë në vitin e parafundit të mandatin qeverisës duke i kthyer dhe idhtarët më besnikë të Rilindjes, në kritikë cinikë. Madje edhe një pjesë e mirë e 1 milion shuplakave që e sollën në pushtet, në ditët e sotme në mos janë penduar, shprehen të zhgënjyer jo me qeverinë, por me besimin ndaj një filozofie, që rezultoi iluzion.
Ka ende kohë deri në 2017-tën, por shanset që Rilindja të renditet ndër projektet e suksesshme të politikës shqiptare sa vijnë dhe pakësohen. Ulja e TVSH-së për energjinë nga 20% në 6% për familjarët nuk është mundësuar ende dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Ndërtimet pa leje, është e vërtetë që kanë pësuar një rënie për shkak të shok-ut të shkaktuar nga tritoli dhe prishjet, por selektiviteti dhe ndëshkimi i të dobtëve e ka ngjyrosur në mos me ngjyrën e Rilindjes, me atë të interesit të momentit. Ndërtimet me leje, por të paligjshme edhe kur provat në dosjet e tyre janë kokëfortë, po ndodhin në mes të ditës së bashë pranë detit blu. Të tjerat që shtriheshin më në jug dhe i përkisnin kundërshtarëve politikë, u hodhën në erë dhe faturën e paguan taksapaguesit që ishin të pambrojtur ndaj vendimeve të qeverisë.
Rritja e rrogave ka ngrirë prej 3 vitesh dhe mundësitë që të ndodhë në muajt e ardhshëm janë edhe më të pakta sesa ringjallja e shpresës tek Rilindja. Ulja e çmimit të naftës nuk ndodhi, jo vetëm sepse tregu ynë nuk ndikohet nga lëvizjet në tregun botëror, por sepse qeveria rriti dhe taksën e qarkullimit duke pamundësuar uljen e premtuar. Anullimi i koncensioneve të konsideruara si problematike është një tjetër premtim prej opozite që me sa duket nuk e kishte të qartë se pushteti i djeshëm kishte njohuritë e duhura juridike për t’u vetëmbrojtur për cdo vendim. Negociatat për t’i shpëtuar abritrazhit me CEZ janë kthyer në gjahun e intrigës brenda maxhorancës për një cështje që në sytë e një pjese të opinionit publik që nuk beson tek Rilindja, janë të përfshirë të gjitha palët pavarësisht se në cfarë niveli. Ndër më të famshmit do të mbetet premtimi për shëndetësi falas, që nga forma origjinale e togfjalëshit elektoral ka vetëm të falat për Rilindjen. /Javanews/