Itali, 15 qershor 2014 – Një vajzë shqiptare ka arritur që të shkëputej nga grupi kriminal shqiptar, i cili e detyronte që të prostituonte në Milano të Italisë.
Shqiptarja arriti të largohej pas një jave dhe bëri të mundur nëpërmjet kallëzimit të saj, që karabinierët e Milanos të arrestonin pesë persona, të gjithë shqiptarë, ku katër prej tyre ishin meshkuj dhe njëra ishte femër, të gjithë të moshës nga 22 deri në 29 vjeç.
Për të bërë që të funksiononte më mirë rrjeti dhe punët, secili prej tutorëve lidhej “në mënyrë sentimentale”, me njërën prej vajzave. Ajo quhej “e fejuara” dhe kontrollohej ditë dhe natë, duke iu nënshtruar në mënyrë të rreptë rregullave dhe detyrave. Këtu bëri përjashtim vajza shqiptare, e cila që në momentin e parë ka kundërshtuar dhe nuk ka dashur që të dilte në rrugë.
Banda gjente vajza në Shqipëri dhe më pas i çonte në Itali për të prostituuar. Anëtarët e kësaj bande do të ndeshen me drejtësinë italiane, nën akuzën e “shfrytëzimit dhe favorizimit të femrave për prostitucion”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





