Çuni: Ky është skenar i shërbimeve sekrete të Beogradit
Paraqitja e AKSH-së është negative, dhe ajo po bëhet në kohën kur në bisedime, ajo po luan në anën e Serbisë, kanë vlerësuar tre deputetë të Kuvendit të Kosovës në një debat.
Serbia po provokon, jo shqiptarët, prandaj shqiptarët në bazë të konventave e kanë të drejtën e mbrojtjes, ka deklaruar Nait Hasani.
Edhe Rexhep Selimi i Vetëvendosjes dhe Nait Hasani i PDK-së, nuk përjashtojnë mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Luginë të Preshevës në qoftë se autoritetet serbe ndërmarrin hapa për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së. Ndërsa, ish komandanti në Koshare kolonel Anton Çuni ka bërë thirrje për maturi duke e cilësuar si të gabuar kërcënimin e AKSH-së, sikurse kanë menduar që të gjithë folësit në debat, se po mundohet të krijohet një baraspeshë nga Serbia në bisedime, që ajo ti bëjë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të shpërbëjë struktura armiqësore të saj si AKSH-ja duke i barazuar me strukturat ilegale dhe kriminale në veri.
Deputeti Selimi tha se situata në Kosovën Lindore mund të eskalojë në rast së preket lapidari i UÇPMB-së në Preshevë.
Por, gjithashtu ai tha se nuk duhet të përjashtohet lufta. “Sulmi i Serbisë ndaj lapidarit është edhe sulm ndaj shqiptarëve. Nuk po them e as nuk po thërras për mobilizim, por po e tërheq vëmendjen se situata mund të eskalojë. Po them se lufta mund të ndodh”, tha Selimi.
Deputeti Hasani, tha se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm t’i mbrojnë shqiptarët në Kosovën Lindore. “Jemi të gatshëm t’i mbrojmë të drejtat e tyre edhe me luftë. Do të shkojmë t’i mbrojmë shqiptarët nëse preket lapidari”, tha Hasani në “Rubikon”.
Çuni tha se para se të hyhet në luftë, është dashur që paraprakisht të krijohet një mbështetje madhe politike, pranimin e kulturës, të lashtësisë sonë, por në këtë situatë me këtë ikonografi të paraqitur në media (AKSH) ne po i japim Serbisë një adut që të kthejë situatën mbrapa. Çuni tha se me këtë rast do të kthehet mbrapa koha, si punktet policore, kontrollet në shtëpi, krijim i tensionit dhe situatës së pasigurisë duke i thënë një ditë sikurse na thoshin neve në Kosovë se duhet të shkoni përtej bjeshkëve të Nemuna, do ti thonë shqiptarëve atje, që të shpërngulen drejt Kosovës apo vendeve tjera me shumicë shqiptare.
Ai tha se ky është skenar i shërbimeve sekrete të Beogradit. Që të gjithë kanë kërkuar që të mbrohen institucionet lokale shqiptare atje.