Nga BUJAR QESJA

As nuk mund ta dinim, se do të takoheshim një ditë kështu. Janë disa gjëra që t’i sjell e mira aty ku duhet dhe ashtu si duhet. Është ditë e nxehtë vere, 22 qershor 2022. Në veprimtarinë e “Fest Detit 2022”, që organizoi “Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare”, secili prej ne të gjashtëve kishte ardhë në sallën qendrore të Qendrës Kulturore Durrës, në linjën e vet. Disa për të ndjekur çfaqjen. Të tjerë për arsye pune. E ndonjë tjetër për kulturë profesionale.

Në këtë kohën tonë të tanishme, hapsirat për të lëvizur pa plan janë ngushtuar. Ngarkesat, punët private, lufta dhe përpjekjet për mbijetesë na e kanë limituar kohën. Dhe ne të gjashtë në këtë kufizim kohe, gjetëm kohë për qenë ashtu papritur së bashku. Jo se e kishim punën ashtu, por rastësisht u takuam. Njihemi prej kohësh me njëri tjetrin. Të qenurit në një qytet, punët e ndryshme që kemi bërë në këtë të gjallët tonë, na kanë lidhur në një formë a në një tjetër me njëri tjetrin.

Vetëm Adem Ajdini, nuk është i Durrësit, por gjithsesi në rrethin e hershëm të këtij qyteti – Kavajën. Kam kohë që e njoh këtë njeri të bëshëm nga trupi, por me energji që nuk e di a do t’i ndalet ndonjë ditë. Shkolla e mesme jo publike “Flabina”, që është hapur në Tiranë mbi dy dekada më parë, është e këtij energjiku. Një shkollë profesionale që e përligji ngritjen. Si formim vjen nga shkolla “Skëndërbej”. Edhe më tej studioi për artin ushtarak. E ndjeu se mundësitë si kishte deri këtu. Përfundoi edhe studimet e larta për drejtësi dhe mori titullin e avokatit. Dhe tani thërritet avokat Adem Ajdini, por mbetet ai i pari themelues në Shqipëri i arsimit privat, me shkollën e mesme profesionale jo publike “Flabina”. Bëri gazetë me këtë emër. Ngriti akademi futbolli me këtë emër, duke mbetur shembull i njeriut krijues, aktiv dhe zbatues i planeve për zhvillim kulturor, arsimor dhe sportiv. Mbështet nismat e “Qendrës së Artit dhe Kulturës Shqiptare” dhe është propagandues i zellshëm i veprimtarive.

Pesë të tjerët, por që nuk mund të ndahen nga i gjashti si me thikë, janë të një “çanaku”, kanë ngrënë “bukë” në një sofër. Dua t’i portretizoj. Këto shkrimet e mia, e duan faktin që shërben si lëng lubrifikues për të më njomur mendimin. Nëse do të më duhet të jem i sinqertë në atë që pareqes këtu, këto foto gjashtëshe e kam vendosur në shkrimin problematik për organizimin e dy festave të detit në Durrës, që asnjëherë nuk kam për ta parë si shqetësim. E kam bërë të njohur së bashku me 15 foto të tjera dhe kur e kqyra me vëmëndje m’u “dhimbs”. Ajo ishte e “mbytur” aty. Dhe e ndava veç, sepse ashtu e meriton.

Ndër ne, janë aty shumë pranë njëri me tjetrin mosha e Niazi Xhakollit, Ermir Dizdarit dhe Gani Krasniqit. 80-tat po i thithin pak nga pak. Duke lëshuar ca fjalë të mira më shumë për njërin apo më pak për tjetrin, absolutisht nuk kemi të bëjmë me cungimin e cilësive të tyre. Por njërit, kam dëshirë t’i jap disa “gram” më shumë nga ne. Ky është Niazi Xhakolli, nga fshati Strënec i Përmetit, por që vjen pak era edhe Skrapar. Duhet të jenë bërë më pak se 50 vite që e njoh. I njëjti. Jam i bindur, se nuk jam i vetmi në këtë gjykim. Xhakolli është i lyer me magjinë e një njeriu të këndshëm, më shumë se i mirë. Të gëzon në komunikim. Mbetet shëmbull këtu. Futem pak në historinë e familjes dhe e gjitha kështu si ai. Ka punuar fort në jetë. Ka bërë punë të ndryshme. Realizoj edhe shkollën e lartë, duke mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën e të qënurit njeri. Firmën kësaj diplome ja kanë vënë njerëzit, të cilët e duan Niazi Xhakollin sikundër edhe ai ata. Ne na ka miq të vjetër, por më shumë anon tek “vëllai” i tij Xhemali Dume. Nga Niaziu përfitohet modeli i sjelljes, qetësia dhe maturia, mënçuria dhe dija, e qeshura plot shpirt e plot jetë.

Lapsi im “bie” pas kësaj mbi Ermir Dizdarin. Ku i gjen këta miq kështu? Mbase në kohën e sotme, më duket se është në “zhdukje” lloji i tyre. Nuk dëshiron nëse ia kujton se po i ofrohet të 80-tave. Punon njëlloj si më parë. Deviza e tij është dhe mbetet puna. Jep mësim në Akademinë e Arteve. Vrapon në përgatitjen e orkestrës së harqeve të përbërë nga një grup vajzash të reja, “fluturat e violinës”. Sikur të mos mjaftojnë këto, “vrapon” edhe në shumicën e festivaleve folklorike, që organizohen në Shqipëri dhe diasporë. Zakonisht është kryetar jurie. Aftësisë së tij profesionale i falen të gjithë. Shumë i ri, 25-26 vjeçar dirigjoi orkestrën gjigande simfonike të operas historike të bërë në Durrës “Bijtë e Skëndërbeut”. Hobi është peshkimi dhe gjuan edhe me tratë. Në pamje trupimët, por puna e tij është e jashtëzakonshme. Ajo gjeneron gjithnjë energji, duke ndezur fuqishëm llambën e një jete të mbushur me kuptim, me shumë përmbajtje. “Po jetojmë, prandaj edhe po plakemi”, ta kujton gjithnjë me humor këtë batutë.

Eh Ylli Ramzoti! Shok dhe koleg i vjetër i imi, në të dy rastet kur kam drejtuar dy institucione kulturore në Durrës: pallatin “Rinia”, teatrin “A. Moisiu” si dhe Qendrën Kulturore. Drejtues muzike me metoda plot risi dhe fantazi. Njeri i teorisë, por edhe i praktikës së gjallë. Instrumentist virtuoz. I vetmi kompozitor me emër dhe që mban lart fuqinë krijuese në artin muzikor në Durrës. Ka dy djem si vetë emri i tij, duke kujtuar deri në përjetësi bashkëshorten e shtrenjtë Teutën, shoqen tonë të mirë, që u nda nga jeta nga ai kovid i mallkuar. Ndjekës i përpiktë i veprimtarive që zhvillohen në Durrës dhe shembulli i një pune aktive, plot pasion dhe profesionalizëm.

Gani Krasniqi, pjestar i kësaj gjashtëshe pasionantësh në zanatet e tyre. Me origjinë nga Kosova, por me një staturë përgëzuese. Iu kushtua mësuesisë, duke mbetur specialist i gjuhës shqipe dhe letërsisë. Njeri i urtë, sikundër Niaziu, Ylli dhe Ermiri. Nuk ndihet kur flet. Ecën lehtë dhe çapit i sigurtë. E don artin dhe kulturën e qytetit të tij. Nisur nga kjo dëshirë, ndodhet në këtë 22 qershor 2002 në teatrin “A. Moisiu”. Ka punuar në shumë shkolla, si mësues dhe si drejtues. U angazhua do kohë në seksionin e arsimit dhe në Qarkun e Durrësit. Dhe nuk lëvizi asnjë centimetër, nga profili jetësor që kishte krijuar. Ai ishte dhe mbeti gjithnjë Gani Krasniqi.

I gjashti është autori i këtyre rradhëve. Atë ditë si moderator i veprimtarisë. Por mik dhe shok i hershëm dhe i thekur i Niaziut, Ermirit, Ganiut dhe Yllit dhe më të ri Adem Ajdinin. Jemi njohur në punë, duke mos u nisur cili është drejtues dhe cili është nën të. Na ka udhëhequr morali njerëzor, i mbrujtur me edukatën qytetare dhe tradiconale familjare. Kemi shërbyer dhe shërbejmë. Që të gjashtë jemi me qitap të dalë në pension, por që ky term nuk ka gjasa të ekzistojë sa kemi ndërmënd të mundemi.

Me punë kemi arritur gjithçka dhe me punë do të ruajmë gjithçka.
Të gjashtë në një foto. Ditë e mërkurë. Data 22 qershor 2022. Që të gjashtë për këtë ditë, na lidhi “Festa e Detit”. Por që të gjashtë pas kësaj, do të vazhdojë të na lidhë miqësia e pastër dhe përkushtimi ndaj punës dhe njerëzve.
Të gjashtë në një foto. Kështu ngahera!

Durrës: 27 qershor 2022

Në pamje, nga e majta: Ylli Ramzoti, Niazi Xhakolli, Ermir Dizdari, Gani Krasniqi, Bujar Qesja dhe Adem Ajdini.