Nga BUJAR QESJA

Ditët kalojnë. Koha na ndryshon moshën dhe mendimet bëhen më të arta. Kalon një ditë dhe tjetra bëhet gati të zbardhë “fytyrën” e re të prezantimit. Asnjëherë nuk i kam dhënë udhë kësaj praktike, që kur takon dikë e pyet:-Si ke qenë?-Hajt mo, shtyje.

Kjo është një lloj vegjëtimi dhe humbje të asaj kohe që pret të konsumohet. Dhe kjo kohë quhet jetë. Natyrish monotonia ruhet formalisht në një ditë 24 orëshe, pasi mëngjeset janë mëngjese, mesdita është mesditë, mbrëmja është mbrëmje dhe nata është natë. Por ne nuk duhet të jemi kaq të ngjashëm, si këto vakte të ditës. Kjo ka të bëj me mënyrën se si e ndërtojmë ditën, veçanërisht se si e sistemojmë mëngjesin.

Urtësia e popullit na e ka thënë, e kemi të gatshme, vetëm sa ta kujtojmë: “Koha e mirë duket që në mëngjes”. Që në zgjim, që në startin dhe piknisjen të cilën e kemi nga banesa për të dalë në hapsirën jashtë saj. Nuk dua të bëj të diturin këtu. As të ngacmoj mënçurinë, pasi këtu s’ka të bëj kjo. Por merakun e nisjes së ditës, pra të këtij starti kjo po, më mundon. Tërë kohën kam bërë një jetë modeste, duke kërkuar modesten edhe tek të tjerët. Më kanë pëlqyer të thjeshtët, por edhe të mënçurit nga ku mund të mësosh. Jam natyrë që i dua njerëzit. Dua t’i përshendes dhe shkurt të shkëmbej edhe ndonjë dialog jo të mërzitshëm.

Ulem në mëngjes në këtë bahçenë time, pasi vendos pak muzikë, i hedh një sy shtypit dhe pres miqtë dhe shokët të më takojnë. Ato e dinë që unë i dua. I dua të nxjerr mall. I dua të kujtojmë rininë tonë, punët ku kemi qenë, momentet e bukura dhe delikate që kemi kaluar. Janë mbi shtatë dekada jetë. Dhe çfarë jete? Me shumë ritëm, me shumë ngarkesë, me shumë emocione, me shumë trazira dhe kënaqësi shpirtërore. Miqtë dhe shokët e mi këtë anë timen e dinë dhe vijnë pa teklif tek kjo bahçe, ku gjelbërimi bën ligjin. Unë i pres ata. E di edhe këtë tjerën, se këtu nuk ka grafik, por duke besuar tek miqtë dhe shokët që nuk e kemi harruar njëri tjetrin pres. Pres duke medituar e kujtuar. Një trup me memorie, mbetet i gjallë dhe pse jo gjithnjë i freskët.

Më thonte një ditë poeti i njohur Ruzhdi Gole:

-Bujar, sa më pak ta përmëndim fjalën pleqëri. Ska ç’na duhet!

Dhe ka të drejtë. Dhe për të mos ndodhur kjo, kanë vlerë mënyra se si i ndërton mëngjeset, startin e ditës. Dhe Zoti më ka dhënë pasuri. Pse nuk janë të tillë miqtë dhe shokët?! Por këtë pasuri duhet të dish ta çfrytëzosh, ta bësh të përdorshme.

Koha për tu zgjuar! Bëhet fjalë për mua dhe jo për gjë tjetër. Do t’ju prezantoj disa foto, me personazhe të njohur, por të pabujë. Toidhjo si puna ime. Është vetëm një pjesë e mëngjeseve të mia. Kafe me njerëz të mënçur, që edhe pse të moshuar mëson, e mëson gjithnjë.

Vetëm në ditët e fundit kanë ardhur për të më takuar, duke ndarë kujtime, kafe të mbushura plot mall dhe mbresa, orë të tëra të përbëra nga minuta të magjithshme Esat Ypi, Tasim Besho, Minella Kureta, Vasil Mema, Fatbardha Domi, Gani Krasniqi, Vangjel Aleksi, Adem Ajdini, Pëllumb Bulku, Leka Gjermeni, Ariana Karoli, Kujtim Ruçi, Esat Kryeziu, Lut Bagoj, Fatos Hyka, Fatmir Tare, Bujar Dervishi, Flamur Jakupi, Ylli Ramzoti, i përditshmi Sotir Ngresi etj. Nuk po rendis këtu me dhjetra e dhjetra të tjerë në kohë dhe ditë të ndryshme.

Koha për t’u zgjuar mes miqsh dhe shokësh, është sinjali më i mirë, për një ditë të mbarë duke konsumuar ngarkesë shpirtërore, duke konsumuar jetë të vërtetë, plot lëng dhe shije. Këto lloj takimesh kanë brenda kuptimin real dhe të vërtetë të jetës aktive dhe të mos dorëzimit të “armëve” edhe për më tej. Miqtë e mi ma dinë vëndin dhe vijnë të më takojnë. Është bahçeja e të gjthëve, si një pjesë modeste por shumë e lakmueshme e Durrësit. Në sofrën e bujarisë, të miqësisë së thellë dhe të sinqertë, vijnë e ulën njerëz me profile të ndryshme, por që kemi të gjithë një emërues të përbashkët: miqësinë pa interes, punët e mira që kemi bërë, bindjen për të jetuar gjatë dhe duke mos ndenjur por punuar si deri më tash, pa përfolur njeri, por vetëm për t’u marrë me hallet dhe terezinë tonë.

Koha për t’u zgjuar, në mes të njerëzve të zgjuar. Mbreslënëse bisedat e mëngjesit, të freskëta si vetë ky vakt i ditës. Provo të takosh shkencëtarin e matematikës, njeriun e qetë dhe të një kulture për të mahnitur, pa poza, i vuajtur, por i bindur në minuset dhe pluset e një realiteti siç ka qenë dhe siç ka ardhur Tasim Beshon. Çfar karati në burrëri! Çfar fati të ulesh me të! Një kohë për t’u zgjuar me dy sy të hapura sa ska më. Ia vlen të ndalem në rast tjetër për këtë Tasim Besho, një portret tejet i veçantë, një njeri që kostumin e jetës, e ka prerë sipas rrobaqepësit kohë.

Provo të pish një kafe me Vasil Memën, këtë 73 vjeçar të paepur, me një humor që se ke ndeshur tek asnjëri. Një shok dhe mik i veçantë. Me kujtime të pafund për shokë të gjallë dhe të larguar nga jeta. Në vënd të ujit, na mjaftonin lotët nga të qeshurat. Kafe mes dhimbjesh dhe lotësh, mes humorit dhe dramave të jetës, mes optimizmit dhe zhgënjimeve. Këto dalin nga bisedat dhe takimet, kur është koha për t’u zgjuar.

Tako me avokatin e njohur, njërin prej krijuesve të arsimit privat, njeriun e shkathët dhe befasues Adem Ajdini dhe ndjeje shijen e mënçurisë. Ndërro dy fjalë me Minella Kuretën, Drejtorin e Qendrës Kulturore dhe Artit Shqiptar dhe prek se sa i freskët qendron ende në punë ky 73 vjeçar. Po biseda me piktorin e ngjyrave të shpresës Fatos Mati, a nuk të emocionon? Kur shkëmben dy llafe muhabet me Pëllumb Bulkun, kap më shumë mjekësinë por edhe kujtimet për Babë Cenin, këtë zotni të rrallë. Po pse Fatmir Tare mbetet mbrapa, kur të shpalos optimizmin e tij për t’ia dalë ndaj çdo vështirësie.

Tjetër pamje në tavolinë kur llafosesh me Fatbardha Domin. Kjo 76 vjeçare punon dhe jeton sikur të ketë edhe 100 vite frymëmarrje. Qesh, ngrysesh, por edhe gëzohesh. Kujtuam këto ditë Qemalin, bashkëshortin e saj, që kishte dy vjetorin e largimit nga jeta. Me Rexhep Bagojin dhe Fatos Hykën shpalosëm kujtime të tjera. Lutin e kam patur mësues të edukimit fizik. Nuk gjen një të dytë. Kujtime të vlefshme, nga ato që nuk harrohen. Gjithashtu me Lutin dhe Fatosin, prekëm edhe temën e sporteve të Durrësit. Luti dhe Fatosi janë dy emra shumë të njohur të sporteve, njëri në të rëndat e tjetri në basketboll.

Teksa vjen e të takon Esat Ypi dhe deti me dallgë ul kryet dhe koha e vrënjtur ka frikë të pikoj shi dhe dielli shpresëplotë të ngroh më shumë. Enkas nga Italia vjen ky 84 vjeçar, që duket sikur ecën mbi mendimet e tij. Përlotesh kur ndahemi, ashtu sikundër pranvera ulet në fytyrën tënde kur vjen të të takoj. Bujar Dervishi që jeton në Bolzano, sa prek Durrësin e ka në plan këtë bahçenë tonë të përbashkët. Ndonëse i dëmtuar nga kordat vokale dhe tingujt i prodhon nëpërmjet një mikrofoni, s’më duket si pa zë. Madje e ka shumë të fortë tonin, pasi flet me zërin e zemrës. Për Vangjel Aleksin kam shkruar, pasi dihet se çfarë fisniku është. Sa i takon Kujtim Ruçit, një mik i hershëm që kur punonim në bashkimet profesionale dhe që është i prirur drejt temave të sportit.

Sotir Ngresi, një njeri për t’u pirë në kupë, me një moral të pakopromis kur diskutohet për besën dhe fjalën e dhënë, për shpirtin e pastër si të të parëve tanë. Mbetet i përditshmi i kohës time për t’u zgjuar.

Këto mendova të hedh, në këtë fushë beteje të përplasjes së mendimeve, si një ogur i bardhë i transmetimeve të vazhdueshme miqësore, shumë dashamirëse dhe me pozicione tejet pozitive njëri me tjetrin. Koha për t’u zgjuar i mëngjeseve të mia, shpresoj që të rritet në përmasa. Por edhe nëse mbetet kështu, përsëri janë vlera të kësaj kohës për t’u zgjuar. Të zgjohemi nga gjumi, por të zgjohemi edhe në transmetimin e mendimeve të vlefshme, që na duhen dhe na shërbejnë.

Dhe s’ka pse mos të ndodhë kështu.

Durrës: 6 prill 2022