Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, sapo ka mbërritur në burgun e Peqinit pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të premte, ku pas një sherri mes të burgosurve njëri mbeti i plagosur dhe një tjetër humbi jetën.
Gjithashtu në vendngjarje janë edhe Prokurori i Elbasanit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Forcat RENEA.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka urdhëruar që të të gjitha burgjet të kalojnë në sigurinë më të lartë.
Më herët, Manja kishte urdhëruar për vendosjen e Sokol Mjacajt, një prej të dënuarve të përfshirë në ngjarje në regjimin 41 bis.
“Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!”- ka deklaruar ai.
Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur në korrik 2015 në zonën e Dukagjinit, në Shkodër, ka qëlluar më armë zjarri pistoletë të dënuarin Arben Lleshi, i cili ka ndërruar jetë, ndërsa ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja.