Dëshira e shqiptarëve për të punuar në shtet duket se ka arritur kulmin në vitin 2020. Pavarësisht se nga qeveria ka pasur disa herë deklarata për të dekurajuar këtë tendencë dhe kërkesa të orientohet edhe në sektorin privat, duket se administrata publike shihet me interes të lartë.

Të dhënat e Departamentit të Administratës Publike tregojnë se numri mesatar i aplikimeve për një vend pune në vitin 2020 arriti rekord në nivelin 24 aplikime.

“Të dhënat për vitin 2020, tregojnë se ka patur mesatarisht rreth 24 aplikime për pozicion, bazuar në 29497 aplikime në total, për 1237 pozicione të shpallura, tregues ky që ka ardhur në rritje në krahasim me vitet e mëparshme”, thuhet në dokumentin vjetor të DAP.

Ky është niveli më i lartë i aplikimeve mesatare për një vend pune në administratë që nga viti 2001 ndërkohë që viti i dytë me aplikimet mestare më të larta ka qenë 2019, me 22 aplikime.

DAP ka argumentuar se treguesi ka nevojë për një analizë më thellë për të kuptuar se pse ka një rritje të mesatares së aplikimeve për punë në shtet.

“Një numër i lartë aplikantësh për pozicion tregon deri diku pëlqyeshmërinë e shërbimit civil dhe besimin e aplikantëve në procedura konkurrimi të drejta dhe të bazuara në meritë. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një tregues i kritereve minimale të pranimit apo kritereve shumë të përgjithshme për disa raste. Një tjetër arsye mund të jetë edhe aplikimi i kandidatëve, pa i kushtuar rëndësi kritereve, duke bërë disa aplikime njëkohësisht.

Ka disa arsye që mund të çojnë në një vlerë të konsiderueshme të këtij treguesi ndaj dhe analiza e të dhënave, kombinuar me tregues të tjerë, do të ishte me vlerë. Psh: kombinuar me përqindjen e aplikantëve të paraseleksionuar, pra ata që plotësojnë kriteret e shpallura, ky tregues mund të ndihmojë administratën të kuptojë sesi politika apo nisma të caktuara mund të ndikojnë tek vlerat e këtij indikatori”, sqaron DAP.

Ky institucion sqaron se do të shtohet edhe një tjetër tregues që do të merret në analizë në vazhdim dhe që ka të bëjë me kohën për të plotësuar një vend vakant që përfaqëson numrin e ditëve kalendarike deri sa pozicioni të plotësohet. /Monitor