Komedia “Të gjithë me huqe” shkruar nga Laurent Baffie vënë në skenë nga Gëzim Kame, me aktorët Viktor Zhusti, Rajmonda Bulku, Genci Fuga, Eriona Kakeli, Arjola Basho, Elia Zaharia, Lulzim Zeqja, rikthehet për publikun mbrëmjet e së premtes dhe të shtunës në teatër Kame. Me një kastë aktorësh të njohur, regjisori Kame sjell një nga veprat e vlerësuara që mban emrin e autorit Baffie. Ngjarja zhvillohet në dhomën e pritjes së kabinetit të një psikoanalisti të madh. Gjashtë pacientë të profesioneve dhe çrregullimeve të ndryshëm të sjelljes (Tok) presin me orë të tëra mjekun e famshëm, i cili nuk vjen dot kurrë për shkak të një vonese avioni.

Ndërveprimi mes tyre gjatë kësaj pritjeje të gjatë është objekt situatash komike të pafund, marrëdhëniesh njerëzore të sjella me zgjuarsi nga autori Baffie. Për më tepër, përveç mjeshtërisë dhe realizmit tipik të tij, Kame sjell edhe risinë e radhës me këtë vënie në skenë në një mjedis të hapur, duke ndërthurur natyrën me skenën e mbi të gjitha duke mbajtur gjallë jetën kulturore gjatë sezonit veror jashtë Tiranës.

Aktorja Arjola Basho në këtë vepër vjen si asistentja e mjekut. “Unë ndihem e lumtur, që jam pjesë e kastit dhe nuk mund të lë pa përmendur të gjithë aktorët që kanë realizuar karaktere të shkëlqyera. Natyrisht kur punon me aktorë që përpos vlerave njerëzore që kanë edhe ato profesionale nuk ka se si të jetë ndryshe që një punë të reflektojë dashurinë dhe dëshirë e madhe për të finalizuar me një shfaqje të suksesshme”, tregon aktorja e njohur, e cila gjatë kësaj kohe ka spikatur me aktivitetin e tij saj artistik.

Por ajo që sipas aktores është e veçantë në këtë projekt teatror, që është realizuar me regji nga regjisori i njohur Gëzim Kame është që publiku pret diçka ndryshe. “Dhe ne po ia ofrojmë në një natyrë me lumin që kalon, ajër i freskët, i pastër dhe një teatër që për momentin mund të harrosh zhurmat. Jetën monotone, pra një mundësi ndryshe. Prandaj ndihem mirë te ky projekt, është një nismë private në bashkëpunim dhe po funksionon”, shton më tej aktorja Basho, që këtë herë prezantohet para publikut me rolin e asistentes së mjekut. Kjo vepër teatrore ka disa kohë që prezantoi premierën e saj në këtë teatër, por disa vite më parë regjisori Kame e solli këtë shfaqje dhe në skenën e Teatrit Kombëtar.