Në bashkëpunim me ekspertët kinez nisën kërkimet në Nimçë të Kukësit dhe Muhur të Dibrës. Punëtorët e arritën qëllimin, e takuan mineralin, ndonëse mundësitë e shfrytëzimit dhe kondicionet e mineralit ishin të ulëta. Raportimet periodike të dokumentuara me gjithçka që ndodhte për kërkimet bëheshin nga drejtuesit tek kryeministri.

“Rezultatet e punës raportoheshin te kryeministri nga shefat e ekspeditave, hartoheshin relacionet përkatëse…Qëllimi dhe objektivat ishin që të konstatohet që kemi mineralizim të tillë në Shqipëri, kjo u arrit, u takua mineralizimi”, u shpreh Gëzim Shima, gjeolog.

“Në Shqipëri kemi Nimçen me kondicione industriale por me rezerva shumë të ulëta, kemi Muhur gjurmë uraniumi, kemi uranium në qymyret por minierat e qymyrit pothuajse janë mbyllur kemi uranium edhe në fosforitet e Fushë bardhës dhe në fosforitet e guzmarit, në fushë bardhës 3 herë me të ulëta se të guzmarit, ndërsa guzmari 0.08% U3O8”, u shpreh Qerim Ismeni, metalurg dhe ambientalist.

Kërkimet u bënë nëpërmjet aparaturave të posaçme të cilat pasi konstatonin rrezatim në zone, nisnin kërkimit. Ky sinjal, për ekspertët ishte i qartë që ishte uranium që lëshonte rrezatimin.

“Në të gjitha objektet ku punohet për uranium siç ka qenë Nimçja ku njerëzit kanë punuar për ta zbuluar për të bërë matjet, zbulimet bëhen në dy mënyra, duke matur rrezatimin, dmth gjurmën, sepse rrezatimin e lëshon urani, nëpërmjet matjeve fizike dhe nëpërmjet analizave kimike”, u shpreh Qerim Ismeni.

Procesi i kërkimit në të dy zonat i arriti objektivat që ishte takimi i meneralit. Por kondicionet e tij ishin të ulëta dhe rezervat të pakta. Në këto kushte, pas një periudhe kohore të gjatë kërkimesh puna u ndërpre. Sot, ata që punuan në minierë dhe janë ende gjallë, numërohen me gishtat e dorës. Pasojat në shëndetin e tyre ishin të parikuperueshme.

“Numri i punëtorëve të Nimçes pothuajse… a mund të gjendet ndonjë i gjallë apo nuk mund të gjendet fatkeqësisht edhe ata kanë ndërruar jetë edhe ata në mosha që nuk i kanë kaluar 55 vjeç”, u shpreh Qerim Ismeni.