Familjarë dhe të afërm të Endri Dumanit kanë dalë sot për të pritur 12-vjeçarin në aeroportin e Rinasit pas shumë vitesh në kampin famëkeq të Al-Holit në Siri.

Eva, motra e tij nuk pranoi të kthehej në Shqipëri në këtë operacion bashkë me të vëllain, tre fëmijë të tjerë dhe një grua, ndaj daja i adoleshentes, Agim Ndregjoni, i cili pret me padurim që të përqafojë nipin e tij pas shumë vitesh, i bëri thirrje dhe mbesës që t’i bashkohet forcave që e kërkojnë dhe të mbërrijë në Atdhe, ku e pret një jetë e qetë dhe e lumtur.

“Mezi po presim me padurim që ata të jenë në gjirin e familjes. Do respektojmë procedurat ligjore për trajtimin e këtyre fëmijëve. Këto 10 ditët e fundit nuk kemi informacion pse nuk po bashkëpunon për tu kthyer. Edhe një herë një thirrje. Vendi i saj është këtu. E pret nëna që ka 7 vjet që e pret me merak të paparë.”, tha daja.

Nga ana tjetër, kushëriri i 12-vjeçarit e quan ditën më të bukur të jetës së tij momentin kur ka marrë vesh lajmin që Endri Dumani do të kthehet në atdhe. Edhe pse i vogël në moshë ai mezi pret që të ta takojë.

“Më ka munguar shumë dhe nuk kam pasur mundësi ta takoj, kur mora lajmin nuk e besoja, por kur e pashë me sytë e mi, atë ditë nuk fjeta nga emocionet, ka qenë dita ime më e mirë”, tha ai.

Ndërsa nusja e dajës, po e pret me lot në sy dhe mezi pret që ta takojë.

“Nga më i vogli te më i madhi, të gjithë në aeroport për Endri Dumanin: Duam shumë ta prekim! Është dita më e mirë“, tha ajo.