Nga Blendi Fevziu

Të gjithë shurdhë dhe të gjithë qorra! Kjo është logoja që mund të shoqëronte një deklaratë të djeshme të gazetarit Artan Hoxha, bërë në emisionin “Opinion”. I ftuar në një emision për gazetarinë investigative, Hoxha ka lexuar një letër zyrtare të prokurorisë, pjesë e përgjimeve të Kastriot Ismailajt, në të cilën citohej edhe një sms që këtij të fundit i kishte ardhur nga një numër që në atë kohë e dispononte Ilir Meta. Hoxha e lexoi vetë sms dhe teksti i saj është i njohur. Nuk ka asnjë dyshim që Hoxha kishte llogaritur që ta publikonte letrën në mundësinë e parë në një vëmendje maksimale siç është ajo televizive. Sot ai ka fikur telefonin pasi ka hedhur në Facebook-un e tij disa prej letrave zyrtare. Rasti e solli që dje pas emisionit, t’i hedh një sy për pak minuta dhe të fotografoj me celular disa prej letrave të tij. Letra të firmosura nga prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore, letra ku shënohej vendimi i gjykatës për vënien në përgjim të numrit dhe ku në kllapa shënoheshin emrat e personave që flisnin me Ismailajn. Kishte ndër to disa emra politikanësh, disa emra gazetarësh të njohur e po ashtu botues me ndikim në atë kohë, që kishin rënë në rrjetën e përgjimit, me apo pa shkak. Thjesht për një telefonatë. Kishte shumë biznesmenë dhe njerëz që flisnin për miliona dollarë dhe për investime nga Tanzania në Afrikën e Jugut. Për blerje minierash floriri dhe për investime në Shqipëri që s’janë bërë kurrë. Ishin vetëm pak fletë të një dosjeje, që një burim shumë i informuar i huaj, i ka konfirmuar “Opinion.al” se përbëhet prej afro 8000 faqesh. Një dosje për të cilën askush nuk di të thotë se ku ndodhet, kush po e heton dhe çfarë ka brenda.

Nuk ka asnjë dyshim që publikimi i dosjes synon goditjen e Metës nga kundërshtarët apo partnerët e tij politikë. Kjo gjë mbetet e paqartë. Për faktin që i vetmi që u përmend është Meta, ndërkohë që në dosje figurojnë edhe emra të tjerë. Por më e rëndësishme se sa beteja politike dhe goditja ndaj Metës që tashmë nuk është e re, ka një seri pikëpyetjesh dhe çudish që shoqërojnë këtë histori. Një histori që të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin dhe nuk e dëgjojnë!

I pari hesht Meta. Meta duhet të thotë nëse përgjimi është i vërtetë apo i montuar. Nëse është i vërtetë çfarë ka dashur të thotë me të dhe cili ka qenë kuptimi!

I dyti hesht Prokurori, që nuk shpjegon se si është lënë në përgjim një njeri me imunitet deputeti, ende në fuqi në vitin 2008?! Si e ka bërë këtë pa vendim gjykate (Nëse besojmë versionin që Hoxha deklaroi dje) dhe mbi të gjitha si e ka transkriptuar kur nuk ka pasur leje ligjore për këtë?

I treti hesht Parlamenti, të cilit i është përgjuar pa leje një deputet dhe kjo përbën shkelje të ligjit!

I katërti hesht shteti, të gjitha strukturat e tij, që nuk tregojnë se si ka dalë një dosje e mbyllur me vendim gjykate dhe e destinuar të asgjësohet, nëpër media?! Si mundet që dokumentet e shtetit të qarkullojnë kaq lirshëm edhe kur bëhet fjalë për përgjime delikate, ku përfshihen edhe njerëz që nuk kanë lidhje me çështjen, por janë thjesht miq të Ismailajt?! Kush e ka nxjerrë dosjen? Prokuroria? Gjykata? Policia? Apo të gjitha nga pak? A është nxjerrë dosja për shantazh dhe ndaj kujt do vijojë më pas ky shantazh? Askush nuk e sheh dhe askush nuk e dëgjon!

Hesht opozita që zakonisht flet për gjithçka, por kësaj here bën sikur nuk e ka mendjen, ose sikur nuk e ka parë! Nuk ka folur ende. As për të dhënë një version të sajin.

Hesht Kryeministri, i cili si në rastin e parë sërish ndihet jashtë çështjes dhe vijon të qëndrojë jashtë, edhe pse bëhet fjalë për aleatin e tij kryesor! Nuk ka folur deri tani. As për ta mbrojtur.

Heshtin të gjithë! Heshtin dhe nuk shikojnë! Ose dinë më shumë se sa dimë ne…

 

Marrë nga “Opinion.al” me titullin “Përse heshtin politikanët dhe shteti për përgjimin e Ismailajt?!”