Ditën e hënë, fëmijët në mbarë vendin do të fillojnë shkollën pas një shkëputjeje disa mujore për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nga të dhënat e Zyrës Vendore Arsimore Durrës mësohet se në vitin e ri mësimor 2020-2021, në Durrës janë plot 24 624 nxënës që më 14 shtator ulen në bankat e shkollës me turne, nga të cilët 1777 për herë të parë; 1448 në shkollat publike dhe 329 në ato private, ndërsa rreth 2400 janë maturantë.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti shprehet se nën juridiksionin e këtij institucioni janë 55 godina arsimore publike, dhe 17 private, që do të hapin dyert për të pritur nxënësit në kushte pandemie.
Fatkeqësisht, pandemia nuk është e vetmja dukuri që ka krijuar vështirësi në zhvillimin e mësimit në shkollat e Durrësit, pasi një pjesë e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe godinat u shemben për t’u rindërtuar sërish. Pavarësisht kushteve dhe rrethanave, Matohiti konfirmon se mësimi do të nisë në të gjitha institucionet arsimore, pa përjashtim.
“Në kuadër të përgatitjeve për nisjen e vitit shkollor 2020-2021, ZVA Durrës ka marrë të gjitha masat në mënyrë që mësimi të fillojë, pavarësisht të gjitha vështirësive të krijuara, jo vetëm nga situata e COVID-19, por edhe pasojat e tërmetit. Ky i fundit ka bërë që një pjesë të godinave shkollore ti kemi jashtë funksioni e për pasojë sistemimi i nxënësve ka qenë sfida kryesore e ZVA Durrës në këtë fillim të ri. Sigurisht që angazhimi ynë është maksimal dhe duam të besojmë se do t’ja dalim me sukses, pavarësisht kushteve dhe rrethanave. Konfirmoj se mësimi do të nisë në të gjitha institucionet arsimore, pa përjashtim, dhe për këtë janë bërë gati të gjitha godinat duke filluar nga sistemimi dhe dezinfektimi e deri te sigurimi i dezinfektanteve, termometrave, detergjentëve, etj..”
Pavarësisht masave si distancimi social, mbajtja e maskave, matja e temperaturës apo larja e duarve me dezinfektant, sërish ekziston rreziku i infektimit me Covid-19 të fëmijëve në shkollë.
Por çfarë mase është parashikuar nëse raste të tilla do të evidentohen në ditët në vazhdim?
“Të gjitha institucionet arsimore janë angazhuar për të planifikuar me detaje çdo sjellje të mësuesve dhe nxënësve në mjediset shkollore, duke filluar nga hyrja në shkollë dhe matja e temperaturës e deri në kohëzgjatjen e qëndrimit, si dhe respektimin e çdo rregulli tjetër gjatë qëndrimit në institucion. Aktualisht puna ka nisur për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, të cilët tashmë janë në kontaktet me komunitetet e tyre shkollore për të bërë të qartë planin dhe detajet e fillimit të vitit shkollor.
Nga ana tjetër ASCAP ka hartuar një udhëzues i cili përcakton në formë dhe përmbajtje rregullat të cilat duhet të përmbushin institucionet arsimore. Ndërkohë çdo shkollë ka një përsonel të shtuar, përfaqësues të shëndetit publik, i cili do të asistojë personelin mësimor për të trajtuar çdo rast të dyshuar infektimi. Çdo vendim do të merret referuar rastit, klasës, apo shkollës. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se stafet mësimore do të kenë një vigjilencë të shtuar dhe parësore në pjesën e shëndetit gjatë gjithë procesit të punës mësimore edukative, duke shpresuar në ndihmën dhe bashkëpunimin e familjes. Çdo shkollë tashmë ka hartuar protikollin e saj të raportimit dhe shpresojmë që situatën jo vetëm ta kemi nën kontroll, por t’ja dalim me sukses në përmbushjen e misionit të madh që ka shkolla, që është ai i edukimit.”, shpjegon Matohiti.
G.D.





