Tiranë, 3 gusht 2014 – Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar formularin A2 të preferencave, ku maturantët mes 271 degëve mund të zgjedhin 10 degët që ata dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

Në krahasim me vitin e shkuar, formulari A2 ka 63 degë më pak, pasi këto degë sipas MAS, janë mbyllur për shkak se kishin kërkesa shumë të pakta nga maturantët, ose zgjidheshin nga ata kandidatë që e kishin mesataren 5 dhe dëshironin vetëm të fitonin një të drejtë studimi. 
Plotësimi i formularit A2 starton fillimin e javës që vjen. Të drejtën e plotësimit online të formularit të preferencave e kanë maturantët që kanë kaluar me sukses provimet e Maturës Shtetërore, si dhe kanë bërë pagesën e formularit A2. 

Çdo maturant do të mund të përzgjedhë 10 preferencat për të ndjekur shkollën e lartë, mes 271 programesh studimi. Sistemi informatik nuk të lejon që të përzgjidhen më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre si dhe të rirenditen ato. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/