Të hënën nisin aplikimet për regjistrimet e fëmijëve në çerdhe publike dhe prindërit do të kenë kohë për të paraqitur dokumentacionin brenda javës deri më 7 qershor, për objektet e kujdesit dhe edukimit pranë banesave ku jetojnë të njësive bashkiake që ju përkasin.

“Duhet të kenë me vete dy certifikata, të fëmijës dhe familjaren, gjithashtu edhe vërtetimet e punës, për shkak se kemi çerdhe që kanë numër të lartë aplikimesh dhe fillimisht ju japim të drejtën për regjistrim atyre fëmijëve që prindërit i kanë në punë dhe i kanë më të nevojshëm. Kjo kategori shoqërohet edhe me fëmijët e tjerë të kategorive prioritare, si fëmijët me aftësi të veçanta, apo që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Por kjo nuk do të thotë që fëmijët që nuk i kanë prindërit në marrëdhënie pune, nuk e kanë të drejtën të marrin shërbimin. Të gjithë duhet të socializohen dhe në varësi të hapësirave, do bëhen regjistrimet”, tha Zhaneta Beqiri- drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve, Tiranë.

Socializimi i të vegjëlve është thelbësor për mirërritjen e tyre. Teksa, nga data 10 qershor dëri më 21 qershor hapet faza e aplikimeve zyrtare për kopshtet.

“Fëmijët që janë në çerdhe, prindërit nuk e kanë të nevojshme të aplikojnë për të marr shërbimin në kopsht. Por në ambientet e çerdhes në një nga ditët që shkojnë për të marr fëmijët, plotësojnë një formular për një nga kopshtet që duan të frekuentojnë në shtator”, tha ajo.