Të hënën, deputetët do të rikthehen në punë me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të shqyrtohet kalendari dhe programi i punës për pesë javët e ardhshme.
Ky sesion i dytë i Legjislaturës XI do të hapet zyrtarisht me seancën plenare të parashikuar në orën 17:00. Pak para seancës, rreth mesditës, do të mbahet edhe mbledhja e komisionit parlamentar për reformat, që drejtohet nga Fatmir Xhafa.
Reformat pritet të jenë tema kryesore e këtij sesioni, ndërsa sjellim ndërmend se kryeministri Rama ka paralajmëruar se socialistët nuk do të tolerojnë më pengimin e punës së Kuvendit nga opozita përmes procedurave të caktuara.

Gjatë një fjalimi pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar socialist të mbajtur dy ditë më parë, Rama theksoi gatishmërinë për dialog, por paralajmëroi se në mungesë të tij, reformat do të zbatohen edhe vetëm nga mazhoranca.
Rama kërkoi gjithashtu që orët e punës të jenë të gjata dhe shtimin e numrit të seancave parlamentare.
Mes reformave më urgjente që pritet të trajtohen, socialistët rendisin ndryshimet zgjedhore dhe territoriale, të cilat duhet të përfundojnë brenda korrikut për t’u aplikuar në zgjedhjet lokale të 2027-ës me Kod dhe hartë të re.
Sipas agjendës së bërë publike në faqen e Parlamentit, seanca plenare do të hapë punimet me diskutime nga kryetarët e grupeve parlamentare, miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar dhe njoftime të ndryshme, sipas rendit të ditës të miratuar nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.





