7 mars 2015 – Një dëshmi e fortë, që nëse do të vërtetohej, do të vuloste trukimin e ndeshjes mes Partizanit dhe Flamurtarit. Disa lojtarë të huaj të Flamurtarit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve, u kanë thënë pas ndeshjes drejtuesve vlonjatë të klubit se Partizani ka qenë në dijeni për trukimin e kësaj ndeshjeje. Sipas lojtarëve të huaj të Flamurtarit, këtë gjë e kanë bërë të ditur lojtarët e Partizanit në fushën e lojës. “Pse luani ju?! Nuk e dini si është puna?! Mos luani, mos u lodhni kot…!”. Këto kanë qenë disa nga fjalët me të cilat dyshohet se futbollistë të Partizanit u janë drejtuar në fushën e lojës lojtarëve të huaj të Flamurtarit.
E gjithë biseda është kryer gjatë ndeshjes në fushë, në pjesën e dytë të takimit. Pasi skandali plasi, futbollistët e huaj e kanë pohuar këtë gjë te drejtuesit. Kjo pritet që të jetë një provë më shumë për organin e akuzës, i cili mund të thërrasë në pyetje edhe lojtarët e Partizanit.
Drejtuesit e Klubit të Futbollit Flamurtari kanë kërkuar nga organi i akuzës që të merren në pyetje të gjithë futbollistët. Në hetim do të vihet e gjithë ndeshja, ndërsa veçanërisht do të ndalet te pjesa e dytë e takimit. Akuza që pritet të ngrihet, është i përcaktuar në nenin 197/a për trukimet dhe përcaktimin e rezultateve në garat sportive. Po ashtu, drejtuesit kanë kërkuar nga Prokuroria pyetjen e të gjithë stafit teknik, trajnerin Ernestino Ramela, si dhe ndihmësit e tij.
Gjithashtu do të pyeten edhe drejtuesit e klubit, ndërsa mësohet se është i gatshëm të flasë para prokurorëve edhe administratori Sinan Idrizi. Pasi të deponojnë të gjithë lojtarët e stafi dhe, pasi të shqyrtohet i gjithë materiali i mbledhjes, atëherë Prokuroria do të dalë me qëndrimin përkatës dhe çështja do të kalojë në gjykatë. Pas vendimit të gjykatës, klubi pritet të marrë masa për largimin e lojtarëve nëse do të dalin emrat. Por, masat mund të merren edhe që pas vendimit të Prokurorisë. Drejtuesit e klubit vlonjat kanë kërkuar që Prokuroria të shpejtojë jo vetëm me hetimet, por edhe me marrjen në pyetje të futbollistëve dhe stafit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





