Sot, më 8 gusht, në 34-vjetorin e eksodit me anijen “Vlora”, deputeti i ardhshëm Igli Cara ka kujtuar një histori personale të përjetuar në vetë të parë tri dekada më parë. Ai ka ndarë përjetimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Duket e vetmja zgjedhje, në një vend ku ditë pas dite po instalohet diktatura. Një zgjedhje që të kthen pas në kohë, ku 34 vite më parë mijëra shqiptarë udhëtuan drejt të panjohurës, duke pasur busull orientuese lirinë. Në 8 gusht të 1991, anija “Vlora” e tejmbushur me të rinj, të reja e familjarë në kërkim të shpresës u bregëzua në portin e Brindisit. Pjesë e saj isha dhe unë, ndaj nuk mund t’i fshihem emocioneve të kësaj date historike, që ka një vend të veçantë në jetët e mijëra shqiptarëve, që i bënte bashkë shpresa. 3 dekada më pas, historia po përsëritet. Largimi masiv nga Shqipëria është një realitet, në kërkim të një jetë më të mirë, të dinjitetit të munguar dhe lirisë së cënuar. Vlerësim e respekt për çdo bashkatdhetar, që me mund e sakrifica ka ndërtuar jetën larg Shqipërisë! Nuk është e thjeshtë, pasi siç thotë populli:
“- Guri i rëndë në vendin e tij!”
Për fat të keq, 34 vite më pas, largimi masiv i studentëve, i fuqisë punëtore, i shqiptarëve është një dëm i pakthyeshëm, për të tashmen, por mbi të gjitha të ardhmen e Shqipërisë! 8 gushti i vitit 1991 po përsëritet çdo ditë, me më pak zhurmë, por me të njëjtën dhembje të një zgjedhjeje të vështirë, të largimit nga vendi yt, që po tkurret e kërruset, si pasojë e një strategjie për ta zhbërë e tjetërsuar Shqipërinë, që ka ditur të mbijetojë ndër shekuj!”, shkruan Igli Cara.





