Të tjera detaje janë zbardhur nga dosja hetimore për Drejtorin e ARRSH, Evis Berberi, i cili u arrestua pak ditë më parë me urdhër të SPAK , me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në dosjen hetimore, që është publikuar në emisionin “Në Shënjestër”  tregohen mesazhet që janë shkëmbyer mes Berberit dhe biznesmenëve, por edhe mes vete dy biznesmenëve edhe këta tashmë të arrestuar.

Pjesë nga dokumentari:

Kjo është forma se si pushteti ushqen miqësinë dhe prova se si paraja publike si formë abuzimi, shërben jo vetëm si konjukturë për t’u ngritur lart, por edhe një ditë për të prekur fundin. Evis Berberi ishte përfolur shpesh për abuzime të mëdha korruptive në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Por, ai nuk do ta mendonte se fundi i tij do të vinte pikërisht nga ortakëria korruptive me mikun e tij biznesmenin, Valter Begaj, edhe ky tashmë i arrestuar nga SPAK në akuzat për ‘Korrupsion’ dhe ‘Pastrim Parash’. Ku të dy kishin menduar t’i kthenin paratë publike në një gosti për njëri-tjetrin, një shoqëri të cilën ata e kishin ndarë me njëri-tjetrin, prej me shumë se 20 vitesh, që nga koha kur të dy punonin në një kompani private. Një miqësi të cilët ata duket se e konfirmuan edhe më tej, duke e lidhur edhe më fort nëpërmjet një marrëdhënie biznesi.

Por ndërsa Valter Begaj vazhdonte punët e tij në biznes dhe Evis Berberi u katapultua në krye të detyrave publike, fillimisht si këshilltar i ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku, shpejt biznesi u kthye në pushtet. Dhe ku ka mirë se të kesh një mik se sa një çiflig, kur ai është në pushtet, për të bërë disa punë, që në të kundërt nuk do të ishte e mundur të bëheshin. Ky duket të jetë edhe rasti i Berberit dhe Begajt. Ku shpejt nga këshilltar, Berberi do të gradohej në krye të Agjencisë së Eficencës së Energjisë, ku firmosi tre tendera në favor të kompanisë ‘Net Group’. Kompani që ishte në emër të askujt tjetër, përveçse mikut të tij, biznesmenit Valter Begaj.

Ortakëri që u ushqye në vazhdim edhe gjatë kohës që Evis Berberi, u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, edhe për shkak të portofolit që menaxhon. Detyrë, në të cilën ai firmosi po ashtu 3 tendera ku pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që rezultuan fitues, ishte dhe kompania ‘Net Group’, e mikut të tij Valter Begaj.

Por si u lidh Evis Berberi me Valter Begajn dhe cila është kompania që shërbeu më tej për të kryer korrupsion dhe për të pastruar paratë?

Një kompani prestigjatore në duart e të dyve, të cilët e kishin shitur dhe rishitur disa herë, për të fshehur gjurmët e parave.

“Nga periudha Shtator 2018-Janar 2019, Evis Berberi ka qenë zotërues i shoqërisë ‘DAAM’, ku ishte aksioner i vetëm me 100 % të kapitalit. Fillimisht kjo shoqëri është regjistruar me emrin ‘B-VAAL ENGI-10’ dhe më pas i është ndryshuar emri në ‘DAAM’ shpk. Evis Berberi e bleu këtë shoqëri me emërtimin fillestar për vlerën 100 mijë lekë, nga themeluesi i saj Valter Begaj, në shtator të vitit 2018.  Para se kjo shoqëri të ndërronte emërtimin në ‘DAAM’ shpk”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ky nuk ishte marifeti i parë dhe i vetëm që zyrtari i lartë shtetëror Evis Berberi dhe biznesmeni Valter Begaj, kryen me kompaninë e lartpërmendur. Kompani e cila brenda një kohe të shkurtër, nga një shitje me vlera qesharake, u rishit në një shumë rekord. Por jo vetëm kaq, por në mënyrë absurde, pasi këtë kompani e bleu shtetasja Brunilda Buli, kjo e fundit ia shiti sërish aksionet biznesmenit Valter Begaj.  Por këtë herë, me gjysmën e çmimit që e kishte blerë nga Evis Berberi.

“Më 31 janar 2019 Evis Berberi ia shiti kompaninë Brunilda Bulit në shumën e 500 mijë eurove. Ndërkohë që më datë 23 Dhjetor 2021 Brunilda Buli ia shiti po këtë kompani biznesmenit Valter Begaj, në shumën e 200 milionë lekëve të rinj”, thuhet në dosje. Por, këto nuk do të ishin zhonglimet e vetme me këtë kompani nga Evis Berberi dhe mikut i tij i vjetër, biznesmeni Valter Begaj.

Pasi këtë herë në lojë, futet edhe një tjetër shtetas, administratori i  ‘DAAM’ shpk, Ervis Lami, edhe ky i ndaluar nga SPAK, në akuzën ‘Korrupsion’ dhe ‘Pastrim parash’. “Më datë 21 shkurt 2022, Valter Begaj e shiti kompaninë në favor të Ervis Lamit në shumën e 200 milionë lekëve të rinj. Por më datë 29 Mars 2022, Ervis Lami ia shiti kompaninë Valter Begaj, kundrejt shumës prej zero lekë”, thuhet në dosje.

Por për të kuptuar se si kjo skemë funksionoi, SPAK iu desh të sekuestronte, celularët e drejtorit tashmë të arrestuar të ARRSH, Evis Berberi, hetime të cilat nisën në shtator të vitit 2023, pas të dhënave që u publikuan në media. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vuri më pas në lëvizje Prokurorinë. Por ajo çka e fundosi drejtorin e ARRSH, ishte zbërthimi i celularit Samsung, S 23 Ultra, në posedim të Ervis Lamit. Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begaj dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.