28 tetor 2015 – Kishin hapur një dyqan ku në pamje të parë shisnin produkte të ndryshme industriale, por pas saj tregtonin cigare kontrabandë.
Policia e Tiranës arriti të binte në gjurmët e tregtimit të këtij malli kontrabandë dhe në sajë të operacionit “Të kamufluarit” mundi të arrestojë në flagrancë 3 personat e dyshuar si të përfshirë:
Agron Tice, 57 vjeç, lindur në Përmet, banues në Tiranë,
Miranda Tice, 46 vjeçe, lindur në Këlcyrë dhe banues në Tiranë,
Ismail Xhengo, 49 vjeç, lindur në Korcë, banues në Tiranë.
“Agron dhe Miranda Tice kamuflonin veprimtarinë e tyre të kundraligjshme duke shitur produkte të ndryshme industriale në një dyqan të ndodhur në zonën e Tregut të Shkollës Teknologjike Tiranë. Shtetasit e mësipërm janë kapur në flagrancë në një banesë private në pronësi të shtetasit Ismail Xhengo në zonën e Fushës së Aviacionit Tiranë në të cilën kishin improvizuar një depo në të cilën mbanin cigaret kondrabandë”, informon policia.
Nga kontrolli i depos u sekuestruan 9950 paketa cigaresh kontrabande dhe gjithashtu një automjet i markës Mercedes Benz me targë AA061BS.
Tre të ndaluarit akuzohen për “Tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
/portali DurresLajm/