Flitet shumë për sigurinë ushqimore, por produktet BIO janë zhdukur nga tregu. Perimet dhe frutat që konsumojmë janë të rritura me hormone e simulantë, niveli i lartë i të cilave vë në rrezik shëndetin e konsumatorit. Pavarësisht çmimeve të larta të produkteve ushqimore vetëm  në raste të rralla çmimi justifikon cilësinë e produktit që blejmë

Për mungesë informacioni, por më tepër të nxitur nga etja për të fituar sa më shumë, fermerët nga Lushnja, Berati e Kavaja po abuzojnë  me produktet bujqësore të stinës duke u shtuar pesë herë më shumë hormone se normalja. Përveç asaj që konsumatori e dallon me sy të lirë apo në shije, fakti konfirmohet edhe titullarët e AKU-së në Durrës. Ndërsa vite më parë shqiptarët nuk e dinin se çdo të thotë produkt BIO e aq me pak OMGJ, sa më shumë që kalojnë ditët, aq më shumë po e kuptojnë se të parat janë drejt zhdukjes dhe të dytat kanë "lulëzuar" në treg. Dhe më e keqja është se tashmë është bërë pothuajse e pamundur që të gjesh një produkt që të jetë i pastimuluar me hormone, të cilët i rritin ato para kohe. Javën e kaluar “Dyrrah” ishte në tregun e shumicës në Nishtulla, aty ku për çdo ditë mbërrijnë me qindra furgonë e kamionë me perime e fruta të përçudnuara nga Lushnja, Berati e qytete të tjera si Kavaja e Elbasani. Të përçudnuara sepse një pjepër shikohet me sy të lirë, që ka shkuar tre apo katër kilogram, duke  iu afruar në madhësi shalqirit.

Të përçudnuara sepse domatja e bukur dhe e kuqe nga jashtë është jeshile brenda, sepse shalqiri nuk ka më shije dhe më shumë të jep përshtypjen e një kungulli. Por çfarë ndodh realisht me frutat dhe zarzavatet që ne konsumojmë e që kanë mbushur tregun e Durrësit? Ajo që konstatohet çdo ditë është një skandal i madh, sepse luhet me shëndetin e konsumatorit, luhet me jetën e tij, me sigurinë e tij, me paratë që shpenzon për produkte, të cilat më pas mund të bëhen shkaktare të sëmundjeve të ndryshme. Mes rrëmujës dhe zhurmës që nis prej orës 04.00 të mëngjesit në tregun e shumicës mblodhëm dëshmi nga tregtarë, të cilët nuk duan të identifikohen. Kryefjalë sipas tyre është fakti se asnjë produkt nuk rritet më pa hile, pa hormone apo pa stimulantë dhe kjo është e qartë si drita e diellit. Por problemi është në çfarë mase përdoren këto hormone?  A janë të kontrolluara, të verifikuara? Me çfarë po ushqehen sot konsumatorët?  Nga intervistat në treg, mësojmë se abuzimi nis që prej farave. Një frut piqet për 24 orë, ndërsa cikli i zhvillimit të tij është 90 ditë normalisht. Janë të shumta frutat dhe perimet që kur i sheh nga jashtë të gënjejnë me pamjen e tyre, por kur i hap pastaj dallon që nuk janë të pjekura ose nuk kanë shijen e zakonshme.

Domatja e skuqur artificialisht dallohet kollaj, pasi ndërsa jashtë është e kuqe flakë, brenda është jeshile dhe ka disa fije, shalqinjtë po ashtu. Tregtarë të ndryshëm shprehen se fermerët shqiptarë i kanë mësuar të gjitha “hiletë” e zanatit. Duke i pyetur se çfarë ndodh me domaten, tregtarët e shumicës tregojnë se në mëngjes fermerët vënë një dorezë, lyejnë dorën me hormone apo stimulant, prekin të gjitha domatet dhe pas 24 orësh të gjitha janë pjekur për të dalë në treg. E njëjta gjë ndodh me pjeprin, me shalqirin etj. Tregtarët rrëfejnë se prodhime origjinale ose BIO është shumë e vështirë për të gjetur. “Një kg pjepër është 30 lekë/kg, nëse do të ishte produkt BIO duhet të jetë 80 lekë/kg, por këto të fundit nuk i gjen më, sepse fermeri nuk prodhon më BIO,- shprehen tregtarët. Ndërkaq çmimet e të gjitha frutave dhe perimeve këtë verë janë shumë të shtrenjta për konsumatorin. “Prodhimet e vendit po eksportohen për në Kosovë dhe Serbi dhe në tregun vendas ka mbetur vetëm cilësia më e dobët, por që tregtohen me çmime shumë të lartë”,- thonë tregtarët.  

Hiletë e serave me hormonet

Serat e Lushnjës dhe të Beratit janë furnizueset më të mëdha të Durrësit dhe Tiranës. Po çfarë ndodh atje? Si i kultivojnë fermerët produktet? Cili është zinxhiri i rritjes së një bime deri në momentin që ne e blejmë? Tregtarët e shumicës tregojnë se dekadën e fundit në Shqipëri janë mësuar të gjitha hiletë për të prodhuar shumë e harxhuar pak. Me hormone pesë herë mbi normën e lejuar zarzavatet mund të jenë gati për treg brenda pak ditësh. Në kushte normale rritjeje do të duhej nje cikël që varion nga një muaj deri në 90 ditë. Hormonet në vendin tonë përdoren që prej 7-8 vjetësh. Në kushtet e konsumit masiv hormonet përdoren në të gjithë botën. Ato janë të dëmshme, kur përdoren mbi normën e lejuar. “Standardi është që në 100 mililitra të hidhen 50 gramë hormone. Në Shqipëri ndodh që hidhet 5 herë deri në 10 herë më shumë.  Më shumë hormonet përdoren në dimer”,- thotë një  tregtar. Një tjetër na tregon edhe proçesin se si brenda një jave hidhet në treg një domate që do të donte 90 ditë të piqej apo se si trangulli brenda 24 orësh bëhet gati për konsum. E njëjta gjë ndodh edhe me shalqinjtë, aq të konsumueshëm gjatë verës. “Ne 100% të mallit e eksportojmë, nuk na leverdis të përdorim hormone, pasi operojmë vetëm me Kosovën, por dimë që në disa sera që furnizojnë tregun vendas përdoren hormonet. Trangulli për shembull, i futur në nitratin e azotit është gati për treg brenda 24 orëve. Hidhet sa gishti i njerës dorë në një fuçi me nitrat dhe të nesërmen është gati”,- thotë një prej fermerëve të rinj në moshë nga Divjaka, i cili tregton produktet e serës së tij në Durrës. Ai na sqaron se stimulantët përdoren edhe me shalqinjtë. Nëse me një cikël normal nga mbjellja deri në shitje duhen 3 muaj, me anë të hormoneve që i japin ngjyrë dhe madhësi është gati per shitje brenda 15 ditësh.

Në tregun e pakicës

Në tregun e pakicës, tezgat e tregtarëve janë plot me fruta dhe zarzavate të stinës. Ndërsa gjatë stinës së dimrit ankohemi për cilësinë e produkteve të importit gjatë verës cilësia e produkteve të fermerëve shqiptarë lë shumë për të dëshiruar. Konsumatorin e shqetëson fakti se pavarësisht çmimit të lartë frutat dhe perimet nuk janë produkte BIO. Shija dhe cilësia e tyre është jashtë standarteve të zakonshme dhe përdorimi i tepërt i stimulantëve dhe hormoneve mund të vërë në rrezik serioz jetën e konsumatorëve. Pavarësisht se tregu është i mbushur plot me produkte, çmimet rriten nga java në javë, duke rënduar xhepin e buxhetorëve dhe pensionistëve. Duket se rritja e kërkesës për produkte si pasojë e rritjes së numrit të pushuesve i shtyn tregtarët që menjëherë të abuzojnë me çmimet.



Problematika

Në tregje, në marketet dhe subjektet e tjera që tregtojnë produkte ushqimore, problem kryesor për konsumatorët është siguria e tyre. Nuk mungojnë rastet kur produktet janë të pakontrolluara dhe jo në pak raste tregtarët abuzojnë me to në mënyrë të hapur, ndërsa kontrollet nga Agjensia e Ushqimit më së shumti janë sporadike. Në disa raste konsumatorët nuk tregojnë kujdesin e duhur për të parë datën e skadencës së produkteve që blejnë dhe bien “viktimë” e tyre. Jo të gjitha ushqimet që mbushin tavolinën e çdo shqiptari janë tërësisht brenda standarteve të kërkuara. Shumë flitet për sigurinë ushqimore, por pak bëhet në këtë drejtim. Situata është e rëndë edhe për sa i përket lëngjeve të konservuara në shishe plastike. Janë me dhjetëra subjekte që tregtojnë në pikë të diellit këto pije freskuese dhe jashtë të gjitha standarteve të kërkuara duke rrezikuar jo pak konsumatorët. Por situata është alarmante përsa i përket qumështit dhe nënprodukteve të tij. Tregu është i mbushur me produkte të paetiketuara. Djathi flitet se është i përzier me niseshte, miell, etj, produkte këto që ulin koston dhe çmimin. Ndërkaq me përbërës të tjerë si miell e niseshte janë edhe gjiza, gjalpi etj.

Produkte si kosi apo qumështi që në etiketa shkruajnë kos i freskët nga fabrika të ndryshme në vend, më se shumti janë nënprodukte të qumështit pluhur, por që në etiketa nuk përmendet asgjë nga përbërësit e tyre. Në markete, djathi i cili tregtohet si djath Gjirokastre, Veriu apo Jugu, nuk ka asnjë etiketë. Shitëset thonë se ashtu siç vjen me voza kauçuku 50 apo 100 kilogramshe, ndahet në pjesë dhe shitet për konsumatorin. Djathi i lopës në merkatë është 300 lekë për kg, kurse një litër qumësht lope tregëtohet me 70 lekë/kg. “Në këto kushte djathi që konsumatori blen duhet të ketë një sasi të vogël qumështi lope, ndërsa pjesa tjetër është qumësht pluhur, kripë dhe niseshte”,- bëri me dije një prej tregtarëve. “Konsumatori kërkon mall të lirë, djath të lirë dhe djathi i lirë që vjen prej Shkodre, është me 350 lekë/kg, çka do të thotë se ka edhe përbërës të tjerë, si niseshte e përdorur gjerësisht në të gjitha nënproduktet e qumështit”,- tha një tregtar tjetër. Sallami pavarësisht se shkruhet në etiketë mish viçi, nuk ka në përbërje të tij as 30% të përbërësve që thotë etiketa. Kjo është shumë lehtë e verifikueshme, sepse një kg sallam, i cili në etiketë thotë “Mish viçi” tregtohet me 550 lekë për kilogram, ndërsa një kilogram mish viçi në dyqan me shumicë dhe pakicë varion nga 850 deri në 950 lekë për kilogram. Në këtë mënyrë kompanitë po mashtrojnë qytetarët me etiketa false, ndërkohë që masat shtrënguese apo kontrollet që duhet t’u bëhen produkteve nga organet përkatëse janë sporadike.