Shqipëria ka ekstraduar drejt Turqisë dhe Italisë, tre persona të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Para drejtësisë”.

Sipas njoftimit të policisë në Stamboll u dërgua 36-vjeçari Koray Anic. Ai rezulton se është dënuar me disa vite burg për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje.

“U ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje”, njoftoi policia.

Ndërsa drejt Italisë u ekstraduan një 27-vjeçar nga Dibra dhe një 49-vjeçar nga Skrapari.

“U ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë. U ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar A. A., 49 vjeç, i lindur në Skrapar, pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje”, njoftoi policia.